Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, dje (7 korrik), në Ankara të Republikës së Turqisë, mori pjesë në disa aktivitete dhe takime të organizuara në kuadër të Samitit të Aleancës, ndër të cilat pritja për ministrat e mbrojtjes e organizuar nga ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Jashar Gyler, Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, si dhe ceremonia e anëtarësimit të Francës, Finlandës dhe Suedisë drejt bashkëpunimit shumëkombësh për themelimin e trajnimit të fluturimit të NATO-s në Evropë (NATO Flight Training Europe).
Gjatë Samitit, ministri Misajllovski mori pjesë në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, i cili u përqendrua në inovacionin dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si element kyç për sigurinë kolektive, si dhe në krijimin e bashkëpunimit për prokurime të përbashkëta për pajisjen e forcave të mbrojtjes. Në forum, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve aleate dhe partnere, si dhe përfaqësues të industrisë ushtarake, u dërgua mesazhi: "Nuk ka mbrojtje të fortë pa industri të fortë të mbrojtjes!"
Pjesëmarrja në këtë forum është me rëndësi të veçantë duke pasur parasysh synimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të mbështetur zhvillimin e kompanive vendore në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Në ditën e parë të punës u zhvillua edhe ceremonia e pranimit të tre vendeve aleate – Francës, Finlandës dhe Suedisë – në kuadër të bashkëpunimit shumëkombësh për krijimin e programit NATO Flight Training Europe (NFTE), një iniciativë me rëndësi strategjike për krijimin e një sistemi të integruar të trajnimit ajror në Evropë. Përmes NFTE-së krijohet një sistem afatgjatë, efikas, i koordinuar dhe i standardizuar për trajnimin e pilotëve, teknikëve dhe personelit të aviacionit, në përputhje me standardet dhe nevojat e NATO-s. Vendi ynë është një nga shtetet themeluese të kësaj nisme.
Gjatë ditës së djeshme, ministri Misajllovski mori pjesë edhe në pritjen për ministrat e mbrojtjes të organizuar nga ministri turk Jashar Gyler, ku mbajti edhe një fjalim para të pranishmëve. Me këtë rast ai vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve, duke theksuar se ato janë shembull i ndërtimit të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, si dhe e uroi ministrin Gyler për objektin e ri të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë.
Aktivitetet vazhduan në Kompleksin Presidencial në Ankara, ku ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në formatin e ministrave të mbrojtjes, në të cilën morën pjesë edhe ministrat e mbrojtjes të vendeve partnere nga rajoni Indo-Paqësor. Gjatë këtij takimi, ministri Misajllovski i informoi homologët e tij për investimet nga buxheti i Maqedonisë së Veriut në zhvillimin e mbrojtjes dhe procesin e modernizimit të Armatës, me ç'rast forcohet gatishmëria luftarake e Armatës dhe njëkohësisht edhe siguria kolektive e NATO-s. Ai shtoi se investimet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut bën në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë edhe investimet që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, si mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe ndërtimi i dy korridoreve strategjike, tejkalojnë 4% nga objektivi prej 5% që duhet të arrihet brenda dhjetë viteve të ardhshme. Misajlovski theksoi se të gjitha marrëveshjet e deritanishme dhe mbështetja që Armata e maqedonase merr nga aleatët dhe partnerët, përfshirë edhe përmes Fondit Evropian të Paqes, kontribuojnë më tej në forcimin e kapaciteteve për kryerjen e detyrave në misionet dhe operacionet paqeruajtëse. Në këtë kontekst, ministri Misajllovski nënvizoi se është me rëndësi të veçantë që misioni i Bashkimit Evropian ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë dhe misioni i NATO-s KFOR në Kosovë të vazhdojnë të jenë garantues të stabilitetit në rajon.