EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Republika e Maqedonisë së Veriut – Shteti i 30-të anëtar i NATO-s

30 – Një numër për t’u mbajtur mend. Maqedonia e Veriut është anëtare e plotë e NATO-s!

Maqedonia e Veriut, atdheu ynë, është anëtare e plotfuqishme e NATO-s – Aleancës. Rruga ishte e gjatë, pothuajse tri dekada. Por ishim të vendosur, të përkushtuar dhe të fokusuar. Kishim një vizion të qartë shoqëror dhe politik se vendi ynë është në Aleancë.

Në vitin 1993, Kuvendi miratoi Vendimin për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, përkatësisht në NATO. Vetëm dy vite më vonë u bëmë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa në vitin 1996 e hapëm misionin tonë të përhershëm në Aleancë. Statusin kandidat për anëtarësim në NATO e morëm në vitin tashmë të largët 1999.

Në vitin 2002, Ushtria jonë filloi të kontribuojë në misionin e NATO-s në Afganistan (ISAF). Që nga viti 2005 u përfshimë në Konceptin për kapacitete operative të NATO-s, ndërsa dhjetë vite më vonë filluam kontributin në misionin e ri, thelbësisht të ndryshuar të Aleancës në Afganistan, të quajtur "Mbështetje Vendimtare".

Protokolli për anëtarësim në NATO u nënshkrua më 6 shkurt 2019, ndërsa pjesëmarrja e parë e një ministri të mbrojtjes nga Maqedonia në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut ndodhi vetëm një javë më vonë, më 13 dhe 14 shkurt 2019. Në të njëjtin vit pati edhe dy pjesëmarrje shtesë, më pas edhe pjesëmarrja e parë në Samitin e Liderëve në fund të vitit, si dhe pjesëmarrja e katërt e ministres së mbrojtjes në mes të shkurtit të vitit vijues.

Procesi i ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve aleate u zhvillua me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë. E para, nga parlamenti grek, u miratua më 8 shkurt 2019, ndërsa parafundit nga parlamenti francez më 21 nëntor. Ratifikimi në parlamentin spanjoll u shty për shkak të ciklit zgjedhor dhe përfundoi më 17 mars të vitit vijues.

Më 20 mars, presidenti Stevo Pendarovski e nënshkroi Instrumentin e Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Më 27 mars 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e plotfuqishme e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ëndrra dekadash u bë realitet. Përpjekjet dhanë fryt. Trimëria dhe përkushtimi u shpërblyen. Atdheu – në paqe, siguri dhe prosperitet. Shteti – i barabartë mes të barabartëve. Së bashku me më të fuqishmit!

Më 30 mars, flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, në Komandën e Forcave Aleate për Operacione në SHAPE – Mons dhe në Komandën për Transformimin e Aleatëve në Norfolk, Virxhinia.

 

Çfarë është NATO-ja? – Fletëfakt 
Viti 1949 – THEMELIMI I NATO-s
12 shtetet themeluese (1949): Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Anëtarësimet:

  • 1952: Greqia dhe Turqia

  • 1955: Gjermania

  • 1982: Spanja

  • 1999: Çekia, Hungaria dhe Polonia

  • 2004: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia

  • 2009: Shqipëria dhe Kroacia

  • 2017: Mali i Zi

  • 2020: Maqedonia e Veriut

Numri aktual i vendeve anëtare: 30
Popullsia e përgjithshme në vendet e NATO-s: ~940 milionë njerëz (12.34% e popullsisë botërore)
Sipërfaqja e përgjithshme e vendeve të NATO-s: 24.52 milionë km² (16.32% e sipërfaqes së banueshme)
PBB-ja e përgjithshme e vendeve anëtare të NATO-s (2018): mbi 36 trilionë dollarë

Accessibility Menu