Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (13 korrik) inspektoi punimet ndërtimore që po zhvillohen aktualisht në një objekt të kazermës së Armatës në Qojli. Vlera e projektit është 10,7 milionë denarë, të siguruara nga buxheti i mbrojtjes. Vitin e kaluar, këtij objekti iu rindërtua plotësisht konstruksioni i çatisë.
Gjatë inspektimit, Misajllovski deklaroi se po i jepet fund praktikës së mosinvestimit në infrastrukturën ushtarake dhe se përkushtimi për përmirësimin e kushteve shihet edhe në objektin e kazermës në Qojli, ku po realizohet një rikonstruksion i plotë i brendshëm, që përfshin zëvendësimin e dritareve, dyerve, dyshemeve dhe rinovimin e të gjitha nyjeve sanitare.
„Punohet aktualisht në të gjitha kazermat. Punohet edhe në Veles, po zëvendësohen çatitë në të gjitha kazermat, po ndërtojmë kapacitete të reja në Prilep në përputhje me procesin e modernizimit, objekte të veçanta për automjetet e reja, si dhe për artilerinë. Shpresoj që së shpejti të vini edhe në Shtip për të parë se kemi ndërtuar objekte tërësisht të reja, ndërsa vazhdojmë edhe me përgatitjen e dokumentacionit teknik për projektet e vitit të ardhshëm”, tha ministri. Ai shtoi se prioritetet përcaktohen nga Armata dhe se investimet do të realizohen në përputhje me buxhetin e mbrojtjes, i cili do të vazhdojë të rritet.
Ministri theksoi se aktualisht po punohet dhe së shpejti do të fillojnë aktivitete edhe për projekte të tjera të mëdha infrastrukturore në të gjitha kazermat e Armatës, si dhe në Stadiumin Ushtarak, Qendrën Mjekësore Ushtarake, Shtëpinë e Armatës dhe Akademinë Ushtarake.
Gjatë periudhës së kaluar janë realizuar rreth njëzet projekte infrastrukturore me vlerë mbi 3,1 milionë euro, ndërsa pesë projekte të tjera me vlerë mbi 850.000 euro janë në fazën e realizimit në disa kazerma. Aktualisht, një projekt i njëjtë me atë në kazermën e Qojlisë po zbatohet edhe në kazermën e Velesit.
Në Qojli, ministri vizitoi edhe pjesëtarët e Batalionit të Inxhinierisë, të vendosur në këtë kazermë. Inxhinierët e Armatës së fundmi janë pajisur me makineri të re inxhinierike, e cila mbërriti në kuadër të paketës së parë të mbështetjes përmes Fondit Evropian të Paqes.