Rruga e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s
– Bashkëpunimi me NATO-n filloi në dhjetor 1993, kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Rezolutën për anëtarësimin e RM-së në NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut).
– Në nëntor 1995, Republika e Maqedonisë u bë anëtare e Partneritetit për Paqe (PfP), dhe në qershor 1996 u hap Zyra e Lidhjes së RM-së pranë NATO-s.
– Në prill 1997 – Republika e Maqedonisë u pranua në procesin PARP, dhe në nëntor 1997 u hap Misioni i RM-së pranë NATO-s në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës.
– Në prill 1999 – në Samitin e NATO-s në Uashington, Republika e Maqedonisë u bë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në Aleancë. Që nga ajo kohë, duke marrë parasysh konsensusin e të gjithë aktorëve politikë në vend dhe mbështetjen e lartë të publikut për anëtarësim në NATO, Republika e Maqedonisë ka punuar për ndërtimin e marrëdhënieve me Aleancën, duke përdorur të gjitha mjetet dhe modalitetet në dispozicion.
– Në gusht 2002 – Republika e Maqedonisë për herë të parë dërgoi dy paqeruajtës në Misionin ISAF në Afganistan, dhe në maj 2003 Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkruan Kartën e Partneritetit (Karta Adriatike).
– Në prill 2008 – Në Samitin e NATO-s në Bukuresht u konfirmua përparimi i RM-së dhe përmbushja e kritereve për anëtarësim, por nuk u dha ftesë për anëtarësim. Në përfundimet e Samitit u vërejt se ftesa për anëtarësim do t’i dërgohej RM-së pasi të gjendej një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët për kontestin e emrit me Greqinë.
– Në Samitet e NATO-s në vitet 2009 (Strazburg dhe Kel), 2010 (Lisbonë), 2012 (Çikago), 2014 (Uells) dhe 2016 (Varshavë), vazhdimisht u përshëndet kontributi i RM-së në operacionet ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO dhe mbështetja për arritjen e qëllimeve të Aleancës, duke riafirmuar se ftesa për anëtarësim do t’i dërgohej vendit pasi të gjendej një zgjidhje e pranueshme për kontestin e emrit me Greqinë.
– Në seancën e mbajtur më 25 dhjetor 2017, Kuvendi i RM-së miratoi Deklaratën për përshpejtimin e reformave dhe proceseve integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO (Fletorja Zyrtare Nr. 192, 26.12.2017).
– Sipas rekomandimeve të NATO-s, Qeveria ndërmori hapa konkretë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, duke filluar me rritjen për vitin 2018 dhe vazhdimisht rriti buxhetin vjetorisht me 0.2% për të arritur synimin e ndarjes së 2% të PBB-së për mbrojtjen.
– Më 11-12 korrik 2018, në Samitin e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë u ftua zyrtarisht për të nisur negociatat e anëtarësimit.
– Më 19 korrik 2018, Kuvendi i RM-së në seancën e 57-të miratoi Deklaratën për mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO.
– Më 25 korrik 2018, një delegacion i NATO-s i udhëhequr nga James McKay, Drejtor i Partneritetit Euro-Atlantik dhe Global në Departamentin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë në selinë e NATO-s, vizitoi RM-në, duke shënuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. U emërua si shef i ekipit të NATO-s për bisedimet me RM-në Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë (ASG PASP), Ambasadori Alejandro Alvargonzalez.
– Më 1 gusht 2018, Plani i NATO-s për zbatimin e procesit të anëtarësimit iu dorëzua RM-së.
– Më 5 shtator 2018, në seancën e 86-të rregulltare, Qeveria e RM-së krijoi Komitetin për Integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO. Komitetin e udhëheq Kryeministri Zoran Zaev, me zëvendës kryetarë: Zv/Kryeministren dhe Ministre të Mbrojtjes Radmila Shekerinska, Zv/Kryeministrin për Çështje Evropiane Bujar Osmani dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Nikola Dimitrov. Po ashtu u krijua Komiteti Punues për Integrimin e RM-së në NATO, i udhëhequr nga Koordinatori Kombëtar për përgatitjet për anëtarësim në NATO, Stevo Pendarovski, dhe Sekretariati.
– U hartua Programi për vazhdimin e reformave, i cili mbulon reforma në sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, aktivitetet për reformën e ushtrisë dhe përmbushjen e obligimeve ligjore dhe financiare nga anëtarësimi në NATO.
– Më 5-6 shtator 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg bëri një vizitë zyrtare në RM, e para pas marrjes së ftesës për anëtarësim. Gjatë vizitës, Stoltenberg përgëzoi përpjekjet e Qeverisë dhe dërgoi mesazh se anëtarësimi i plotë varet nga rezultati i referendumin dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.
– Më 18-19 tetor 2018, në Bruksel u përfunduan formalisht bisedimet për anëtarësim midis RM-së dhe NATO-s.
– Më 6 dhjetor 2018, në një takim të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s u prezantua Programi për vazhdimin e reformave (PPR), duke përfunduar kështu fazën e dytë të procesit të anëtarësimit.
– Më 21 janar 2019, Ministri i Punëve të Jashtme Nikola Dimitrov i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, ku shprehu gatishmërinë e vendit për të pranuar dhe respektuar obligimet e anëtarësimit dhe interesin formal për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Me letrën u dorëzua edhe Programi për vazhdimin e reformave.
– Më 6 shkurt 2019, përfaqësuesit e përhershëm të 29 vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në selinë e NATO-s. Me këtë nënshkrim filloi faza tjetër e procesit të anëtarësimit, që përfshin ratifikimin nga parlamentet dhe institucionet kombëtare të vendeve anëtare të Aleancës.
– Më 13-14 shkurt 2019, Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska mori pjesë në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Belgjikë, duke shënuar herën e parë që një përfaqësues i lartë nga Maqedonia merr pjesë në një seancë ministrash të hapur vetëm për vendet anëtare të NATO-s.
– Më 4 dhjetor 2019, në Londër, Kryeministri Zoran Zaev udhëhoqi delegacionin e vendit në Samitin e Liderëve të NATO-s, për herë të parë pjesëmarrës.
– Më 11 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi protokollin e anëtarësimit në NATO. Me 114 vota për dhe pa vota kundër apo abstenime, u miratua anëtarësimi i vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
– Më 12 shkurt 2020, Presidenti Stevo Pendarovski nënshkroi ligjin për ratifikimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut.
– Më 17 mars 2020, në kushte specifike për kontinentin evropian dhe botën, Senati i Spanjës ratifikoi protokollin e anëtarësimit në NATO nëpërmjet lidhjes me video-konferencë, me të gjitha votat për, duke përfunduar procesin e ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës. Dy ditë më vonë, protokolli u depozitua nga Spanja në depo në Uashington, SHBA.
– Më 20 mars 2020, Presidenti Pendarovski nënshkroi Instrumentin e Anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
– Më 27 mars 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e plotë e aleancës më të madhe ushtarake-politike në botë – NATO.
– Më 30 mars 2020, flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, në Komandën e Forcave Aleate për Operacione në SHAPE – Mons dhe në Komandën e Forcave Aleate për Transformim në Norfolk, Virginia.
NATO NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT
– Zyra e Lidhjes së NATO-s në Shkup, e vendosur pranë Ministrisë së Mbrojtjes, funksionoi deri në prill 2020; shefi i fundit i kësaj zyre ishte kolonel Zoran Jankoviq.
– Ambasada e fundit e kontaktit me NATO-n ishte Ambasada e Republikës së Sllovenisë.
– Në seancën e 135-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut caktoi Dane Taleskin, këshilltar për politikë të jashtme i Kryeministrit Zoran Zaev, për të marrë detyrat e Koordinatorit Kombëtar për përgatitjet për anëtarësim në NATO, pas dorëheqjes së Stevo Pendarovskit për shkak të zgjedhjes së tij si President i Republikës së Maqedonisë së Veriut.