EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Prezantimi i pajisjeve të siguruara përmes Fondit Evropian të Paqes – Misajllovski: Kjo dëshmon rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian për forcimin e kapaciteteve të Armatës

Prezantimi i pajisjeve të siguruara përmes Fondit Evropian të Paqes – Misajllovski: Kjo dëshmon rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian për forcimin e kapaciteteve të Armatës

Sot (3 korrik), në kazermën “Ilinden” në Shkup, në prani të Kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Mbrojtjes Vllado Misajllovski, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski dhe ambasadorit të Bashkimi Evropian, Mihalis Rokas, u zhvillua një ushtrim demonstrues metodik dhe u prezantuan mjetet taktiko-teknike dhe pajisjet e siguruara përmes Fondit Evropian të Paqes.

Në këtë aktivitet, Kryeministri Mickoski theksoi se prioritet i Qeverisë mbetet vazhdimi i investimeve në Armatën  maqedonase, me qëllim që ajo të mbetet konkurruese. Ai falënderoi Bashkimin Evropian për njohjen e cilësisë së Armatës maqedonase, si dhe ambasadorin Rokas për angazhimin e tij personal në realizimin e proceseve të furnizimit dhe dorëzimit të pajisjeve.

“Më mbetet vetëm ta falënderoj ambasadorin për përkushtimin e tij personal, Bashkimin Evropian që po dhuron këto pajisje dhe që ka njohur cilësinë dhe përkushtimin e Armatës maqedonase si pjesë përbërëse e Aleancës së NATO-s. Po ashtu, dëshiroj ta falënderoj kolegun tim në Qeveri, ministrin e Mbrojtjes, zëvendësministrin dhe punonjësit e Ministrisë për punën e tyre të përkushtuar. Gjithashtu, dua të vlerësoj punën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe ta falënderoj për angazhimin e tij të palodhshëm, që Armata jonë të duket kështu siç duket sot – konkurruese dhe e gatshme”, deklaroi Mickoski, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për të gjithë pjesëtarët e Armatës.

Ministri Misajllovski theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Bashkimin Evropian dhe Delegacionin e BE-së në vend, të cilët bënë të mundur që ky furnizim të bëhej realitet për Armatën maqedonase, gjë që ka rëndësi të veçantë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

“Pas meje mund ta shihni paketën e parë të pajisjeve që ka mbërritur, për të cilën kemi punuar vazhdimisht. Shpresoj që në periudhën e ardhshme të njoftojmë edhe për paketa të tjera, të cilat do të përfshijnë pajisje shtesë”, tha ministri.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për një grant të plotë, përkatësisht mjete të drejtpërdrejta nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se kjo është rezultat i Politikës sonë të Përbashkët Evropiane të Sigurisë, marrëdhënieve tona me BE-në, pjesëmarrjes në operacionet e saj dhe komunikimit të vazhdueshëm.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, theksoi se siguria është një element thelbësor i partneritetit evropian, veçanërisht duke pasur parasysh se në vitin 2024 u nënshkrua Partneriteti për Siguri dhe Mbrojtje.

“Po i shohim rezultatet dhe mënyrën se si ky partneritet jo vetëm që sjell pajisje të reja, por përfshin edhe trajnim. Shohim ushtrime të shkëlqyera të simuluara nga forcat”, theksoi ai.

Me mbështetjen e Fondit Evropian të Paqes është siguruar pajisje me vlerë mbi 40 milionë euro, e ndarë në tri paketa. Pajisjet nga paketa e parë dhe një pjesë e paketës së dytë tashmë kanë mbërritur në vend. Bëhet fjalë për pajisje të ndryshme, si radarë, kamera termike, automjete transporti, simulatorë, radar 3D dhe sensorë portativë, ndërsa në kuadër të paketës së tretë do të dorëzohen pajisje për logjistikën, si dhe për njësitë e komunikimit dhe të këmbësorisë.

Accessibility Menu