Nënoficerët në Armatën maqedonase
Nënoficerët përfaqësojnë një nga shtyllat kryesore të Armatës maqedonase. Ata janë lidhja ndërmjet oficerëve dhe ushtarëve, bartës të njohurive praktike ushtarake, disiplinës dhe kulturës profesionale në njësitë. Në ushtritë moderne, veçanërisht në ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, korpusi i nënoficerëve ka një rol të rëndësishëm në trajnimin, udhëheqjen dhe funksionimin e përditshëm të njësive. Nënoficerët në çdo ushtri njihen si shtylla kurrizore e Armatës, kuadër profesional që ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë luftarake, moralin dhe efikasitetin e njësive.
Korpusi i nënoficerëve përbëhet nga pjesëtarë profesionistë të forcave të armatosura, të cilët kanë arsimimin e duhur ushtarak, përvojë praktike dhe aftësi udhëheqëse. Ata janë përgjegjës për drejtimin e drejtpërdrejtë të njësive në nivel ekipi dhe skuadre, ndërsa në disa njësi janë komandantë togu. Gjithashtu, ekzistojnë nënoficerë shtabi, të cilët punojnë në shtabet e batalioneve dhe niveleve më të larta, si dhe nënoficerë me specialitete logjistike. Detyra kryesore e nënoficerëve në njësitë është zhvillimi i trajnimit të ushtarëve, ruajtja e disiplinës, si dhe këshillimi i komandantëve gjatë procesit të planifikimit dhe realizimit të detyrave. Në praktikë, nënoficerët janë bartës të vazhdimësisë dhe traditës në njësitë, pasi zakonisht kanë përvojë të konsiderueshme operative dhe shërbejnë për një periudhë të gjatë në kuadër të të njëjtave ose detyrave të ngjashme sipas strukturës organizative.
Një komponent veçanërisht i rëndësishëm në funksionimin e korpusit të nënoficerëve është i ashtuquajturi kanal i mbështetjes. Ky sistem paraqet një mekanizëm paralel, por komplementar me zinxhirin e komandimit, përmes të cilit nënoficerët sigurojnë vazhdimësinë në zbatimin e urdhrave, ruajtjen e disiplinës, kujdesin ndaj personelit dhe monitorimin e gjendjes në njësitë. Përmes kanalit të mbështetjes, nënoficerët me përvojë, veçanërisht nënoficerët e parë të kompanisë dhe nënoficerët kryesorë të batalionit dhe niveleve më të larta, luajnë rol kyç në përcjelljen e qëllimit të eprorit, por edhe në këshillimin e komandantëve për çështje që lidhen me personelin, trajnimin dhe moralin.
Në Armatën maqedonase ekzistojnë disa grada të nënoficerëve, të cilat pasqyrojnë nivelin e përvojës, përgjegjësisë dhe udhëheqjes. Strukturën e nënoficerëve e përbëjnë gradat: rreshter, rreshter i klasit të parë, rreshter i lartë, rreshter i lartë i klasit të parë, kryerreshter dhe kryerreshter i parë. Me përparimin në karrierë, nënoficerët marrin përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha, nga drejtimi i drejtpërdrejtë i një ekipi ose skuadre, deri te kryerja e detyrave si nënoficerë të parë të kompanisë, batalionit ose komandave më të larta, ku kanë rol të rëndësishëm këshillues ndaj komandantëve.
Oficerët në Armatën maqedonase
Oficerët në Armatë, gjatë shërbimit, udhëhiqen nga parimet themelore morale të profesionit ushtarak dhe vazhdimisht afirmojnë vlerat dhe parimet e tij. Ata nuk janë vetëm komandues dhe komandantë, por edhe udhëheqës ushtarakë, të cilët me shembullin e tyre personal i udhëheqin pjesëtarët e Armatës. Vlerat themelore për oficerët janë: besnikëria ndaj atdheut, përkushtimi ndaj shërbimit ushtarak, përgjegjësia, dinjiteti, respekti, disiplina dhe guximi.
Shenjat e gradave të oficerëve dhe nënoficerëve: https://mil.mk/chinovi/