EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Zëvendësministri Shabani në konferencën “MILCON 26”: Akademia Ushtarake jep kontribut thelbësor për mbrojtjen dhe sigurinë

Zëvendësministri Shabani në konferencën “MILCON 26”: Akademia Ushtarake jep kontribut thelbësor për mbrojtjen dhe sigurinë

„Në një kohë ndryshimesh të shpejta gjeopolitike, në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta, është më se e nevojshme t’i kuptojmë këto ndryshime dhe të gjejmë mënyra për t’u përshtatur me to, sepse siguria – e jona dhe e të gjithë qytetarëve të Aleancës – është prioritet për mbrojtjen”, tha sot (26 qershor) zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, në hapjen e Konferencës së Tretë Shkencore Ndërkombëtare “MILCON 26”, të organizuar nga Akademia Ushtarake.

Zëvendësministri theksoi se, me veprimtarinë e saj, përfshirë edhe organizimin e kësaj konference, Akademia Ushtarake “ndjek trendet globale dhe po pozicionohet si një qendër akademike që jep kontribut thelbësor në mbrojtje dhe siguri.“

Shabani vlerësoi se numri prej 50 punimeve shkencore që kaluan me sukses procesin e recensionit të dyfishtë, si dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të komunitetit akademik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Çekia, Turqia, Kroacia, Rumania, Polonia, disa vende fqinje, por edhe vende më të largëta si Jordania dhe Koreja e Jugut, janë mbresëlënëse dhe krijojnë mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe perspektivave mbi sfidat e sigurisë në nivele globale.

Dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Prof. Dr. Nenad Taneski, në fjalën e tij theksoi se Akademia Ushtarake mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj misionit të saj për të qenë qendër e arsimit ushtarak, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.

„ Organizimi i MILCON’26 është edhe një dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar një hapësirë për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe arritjeve shkencore ndërmjet ekspertëve, studiuesve dhe praktikuesve nga vendi dhe jashtë tij. Jemi veçanërisht krenarë që konferenca zhvillohet në kuadër të Kampusit Veror 2026, një platformë ndërkombëtare që ndër vite është shndërruar në simbol të bashkëpunimit, miqësisë dhe shkëmbimit akademik ndërmjet akademive ushtarake dhe institucioneve të arsimit të lartë nga shumë shtete”, tha dekani.

Konferenca “MILCON 26” u organizua në tri panele shkencore paralele, të shoqëruara me ligjërata, ndërsa njëkohësisht Akademia zhvilloi edhe Kampusin Veror, i cili organizohet për herë të 15-të, si dhe aktivitetin “Erasmus+ Staff Week 2026”, ku morën pjesë profesorë, studiues dhe staf administrativ nga institucione partnere të arsimit të lartë nga Bullgaria, Kroacia, Armenia, Gjeorgjia dhe Jordania.

Në kuadër të konferencës u promovua edhe Përmbledhja e Punimeve Shkencore, e cila paraqet një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit mbrojtës dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut.

Accessibility Menu