Sot (26 qershor), ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, mori pjesë dhe iu drejtua ceremonisë përmbyllëse të Kursit Rajonal të Kualifikimit për Njësitë e Specializuara K9, të organizuar në rajonin e Llazaropollës nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Misioni i OSBE-së. Në ceremoni u drejtuan gjithashtu ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe ambasadori i OSBE-së, Kilian Uahl.
Në fjalën e tij, ministri shprehu mirënjohje për Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë dhe theksoi se ky kurs është një shembull i ndërtimit të sigurisë në kushtet bashkëkohore të sfidave komplekse gjeopolitike.
Misajllovski shtoi se bashkimi i njohurive, burimeve dhe kapaciteteve të institucioneve të ndryshme është më se i domosdoshëm nëse synohet ndërtimi i një sigurie të qëndrueshme.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Armata me kënaqësi kontribuan në këtë trajnim. Pesë pjesëtarë të Armatës morën pjesë në kurs, përfshirë instruktorë, udhëheqës të qenve shërbyes nga Policia Ushtarake dhe specialistë nga Qendra për Mbarështimin dhe Trajnimin e Qenve Shërbyes, së bashku me dy qen të trajnuar posaçërisht për zbulimin e armëve, municioneve, minave dhe mjeteve shpërthyese. Pjesëmarrja e tyre është dëshmi se Armata nuk është vetëm garantuese e mbrojtjes, por edhe një partnere aktive në forcimin e sigurisë përmes bashkëpunimit me të gjitha institucionet përkatëse”, tha ministri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi se kërcënimet moderne të sigurisë gjithnjë e më shumë i tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe se asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me sfidat që lidhen me krimin e organizuar, tregtinë e paligjshme të armëve dhe kontrabandën e narkotikëve. Ai shtoi se vizioni i ministrisë është “përmirësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të njësive K9 dhe pozicionimi i tyre si një nga segmentet kyçe të sistemit rajonal të sigurisë”.
Ambasadori i OSBE-së, Kilian Uahl, theksoi se “ky kurs ka të bëjë me sigurinë praktike për rajonin dhe Evropën. Forcat policore më të trajnuara nënkuptojnë më pak armë të paligjshme në rrugë dhe një kontribut më të madh për sigurinë e të gjithë qytetarëve.”