Me ftesë të ministres së Mbrojtjes të Mbretërisë së Spanjës, Margarita Robles Fernández, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot mori pjesë në hapjen e Samitit të 3-të Global Ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale në fushën e mbrojtjes – REAIM, i cili mbahet sot dhe nesër në A Korunja, Spanjë.
Qëllimi i këtij Samiti, ku marrin pjesë ministra, përfaqësues shtetërorë nga pothuajse të gjitha vendet anëtare të OKB-së, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë dhe të ftuar të tjerë të lartë, është forcimi i ndërgjegjësimit global për zhvillimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në kontekstin ushtarak, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
Në kuadër të Samitit, ministri Misajllovski zhvilloi një takim me homologen e tij Robles Fernández, ku u theksua gatishmëria e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në mbrojtje dhe u diskutua për disa propozime për aktivitete të përbashkëta si dhe për hartimin e një Plani Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Me këtë rast, ministri Misajllovski falënderoi për ftesën dhe theksoi se Samiti paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e mendimeve ekspertësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Teknologjia në fushën ushtarake zhvillohet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe për këtë arsye bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe aftësinë e aleatëve për të garantuar sigurinë”, tha ministri. Ai shtoi se ftesa për pjesëmarrje është gjithashtu dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe në mbrojtje me Spanjën, përmirësimi i të cilave ishte temë kyçe e takimit.
Misajllovski theksoi se vendi ynë në nëntor 2024 ishte vendi i parë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Ballkani që nënshkroi Partneritetin për Siguri dhe Mbrojtje me BE-në dhe shtoi se kontributi maqedonas në sigurinë rajonale dhe kolektive do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen.