EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Betimi solemn i ushtarëve të rinj profesionistë në Armatë

Betimi solemn i ushtarëve të rinj profesionistë në Armatë

Sot (16 janar), në kazermën “Alekso Demnievski – Bauman” në Veles, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski dhe komandantin e Komandës për Trajnim dhe Doktrina, gjeneral brigade Lulzim Nuredini, morën pjesë në ceremoninë e betimit të 300 ushtarëve të rinj profesionistë.

Në fjalën e tij, ministri Misajllovski theksoi se betimi i ushtarëve profesionistë nuk është vetëm një akt formal, por një premtim për mbrojtjen e shtetit dhe qytetarëve.

„Me dhënien e betimit solemn ju keni bërë një hap thelbësor në jetën tuaj. Këto nuk janë vetëm fjalë, por një premtim që ju lidh me popullin dhe atdheun, se pikërisht ju do të jeni mburoja e shtetit”, tha ministri Misajllovski, duke shtuar se ushtarët profesionistë kanë nderin të jenë pjesë e një institucioni që përfaqëson një familje të madhe ushtarake.

Misajllovski theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm do të vazhdojnë të punojnë së bashku për përmirësimin e kushteve të punës dhe avancimin e të drejtave të pjesëtarëve të Armatës, me qëllim krijimin e një Armate të fortë, të motivuar dhe profesionale, e gatshme t’u përgjigjet të gjitha sfidave dhe të mbrojë qytetarët dhe shtetin.

„Sot ju po e konfirmoni vendosmërinë tuaj, dashurinë ndaj atdheut dhe interesin për profesionin ushtarak dhe po viheni në shërbim të diçkaje që është më e shenjta, unike dhe e papërsëritshme”, theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, duke shtuar se para ushtarëve të rinj hapen mundësi për përmirësim të vazhdueshëm, mësim nga më të mirët, ndarje përvojash dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare, ku do të mund të demonstrojnë aftësitë, profesionalizmin dhe gatishmërinë e ushtarëve maqedonas.

Komandanti i Komandës për Trajnim dhe Doktrina, gjeneral brigade Lulzim Nuredini, në fjalën e tij drejtuar ushtarëve të rinj theksoi: “Me dhënien e betimit solemn, ju hyni zyrtarisht në shërbimin aktiv ushtarak dhe merrni një detyrim kushtetues, ligjor dhe moral ndaj Armatës dhe shtetit”, duke shtuar: “Ky detyrim fillon sot dhe zgjat gjatë gjithë karrierës suaj ushtarake“.

Në ceremoninë e sotme të betimit të ushtarëve të rinj profesionistë morën pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, si dhe të afërm dhe anëtarë të familjeve të ushtarëve të rinj.

Accessibility Menu