EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Shënohet solemnisht 17 Tetori – Dita e Komandës së Operacioneve

Shënohet solemnisht 17 Tetori – Dita e Komandës së Operacioneve

Me rastin e shënimit të Ditës së Komandës së Operacioneve, sot në kazermën „Boro Menkov“ në Kumanovë u mbajt një ceremoni solemne, në të cilën të pranishmëve iu drejtuan presidentja dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, dhe komandanti i Komandës së Operacioneve, gjeneral brigade Mirçe Gjorgoski.

Në ceremoni morën pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, gjeneralë të Armatës, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, ish-komandantë të njësisë, përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik, si dhe përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe të organizatave me të cilat Komanda realizon bashkëpunim të suksesshëm.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri Misajllovski theksoi se kontributi i pjesëtarëve të Komandës së Operacioneve në sigurinë e shtetit është i rëndësishëm dhe i dukshëm, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, dhe se përkushtimi dhe gatishmëria e tyre janë veçanërisht të rëndësishme dhe të dukshme gjatë përballjes me fatkeqësitë natyrore, zjarret dhe gjendjet e tjera të krizës.

„Përmes pjesëmarrjes në forcat dhe operacionet shumëkombëshe të NATO-s, ju kontribuoni drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive. Me punën tuaj tregoni se Maqedonia është anëtare e përgjegjshme e Aleancës, një shtet që nuk është vetëm përfitues i sigurisë kolektive, por që kontribuon në mënyrë aktive në forcimin e saj. Kjo është një përgjegjësi që nuk mund të matet vetëm me numrin e detyrave, stërvitjeve apo misioneve të realizuara“, tha ministri Misajllovski.

Ai u porositi pjesëtarëve të Komandës se kujdesi institucional për pjesëtarët e Armatës dhe avancimi i statusit të tyre profesional mbeten në fokusin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë kontekst, ai theksoi se vazhdojnë përpjekjet për përmirësimin e kushteve të punës, investimin në burimet njerëzore, zhvillimin e aftësive ushtarake dhe modernizimin e kapaciteteve të Armatës, me një qëllim – „një Armatë më të fuqishme, më moderne dhe më të pajisur“, të gatshme për t'iu përgjigjur sfidave dhe detyrave që burojnë nga nevojat kombëtare të sigurisë dhe nga detyrimet që sjell anëtarësimi në NATO.

Ministri Misajllovski me këtë rast shtoi se gjatë periudhës së kaluar, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, përfaqësuesit e sindikatave, si dhe përfaqësuesit e drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të seksioneve në Shtabin e Përgjithshëm, është punuar intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje për ushtarët profesionistë që mbushin moshën 45 vjeç. Ai gjithashtu paralajmëroi një Marrëveshje të re Kolektive dhe rritje të pagave.

Presidentja Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj, theksoi se anëtarësimi në NATO është përcaktimi ynë strategjik, por njëkohësisht edhe angazhim për respektimin e parimeve të mbrojtjes kolektive dhe solidaritetit.

„Me përmbushjen e detyrimeve të marra dhe harmonizimin me standardet e Aleancës, ju, Armata maqedonase, keni treguar se edhe një shtet i vogël mund të jetë një aleat kredibil dhe i besueshëm. Ndërveprueshmëria, niveli i trajnimit dhe pjesëmarrja e saj në aktivitetet e përbashkëta janë një konfirmim i qartë i kontributit tonë të madh në sigurinë kolektive.

Dëshiroj që kriteret e qarta dhe vlerësimi konsekuent i arritjeve të gjejnë zbatim të duhur edhe në procesin e integrimit evropian.

Komanda e Operacioneve është një nga shtyllat e sistemit të mbrojtjes së Armatës, sepse pikërisht në të ndërthuren komandimi, trajnimi, organizimi dhe aftësia për veprim. Megjithatë, fuqia operacionale nuk është vetëm çështje e numrit të personelit dhe pajisjeve moderne, por varet para së gjithash nga njohuritë, disiplina, vlerësimi i drejtë dhe gatishmëria për të ndërmarrë iniciativë. Vlera e vërtetë e një strukture ushtarake dëshmohet përmes aftësisë së saj për t'i shndërruar burimet në dispozicion në veprim të koordinuar dhe efikas. Dhe ju pikërisht këtë po e bëni.“

Komandanti i Komandës së Operacioneve, gjenerali Gjorgoski, theksoi se periudha e kaluar ishte e mbushur me shumë detyra, ndër të cilat veçanërisht veçohet organizimi dhe realizimi i stërvitjes „Shkëlqimi 26“, gjatë së cilës Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) u vlerësua me sukses.

„Vlerësimet më të larta që morëm nga vlerësuesit e NATO-s janë pasqyrim i punës së palodhshme dhe të përkushtuar të ushtarëve dhe eprorëve që janë pjesë e GBKL-së“, tha gjenerali Gjorgoski, duke shtuar se pajisja e GBKL-së me automjetet e lehta të blinduara JLTV dhe STRYKER, si dhe vënia e tyre në përdorim operacional, përfshirë edhe obusët e rinj 105 mm BORAN, ka fuqizuar fuqinë e zjarrit të Armatës, me çka është arritur edhe një objektiv tjetër i rëndësishëm i aftësive.

Në kuadër të ceremonisë, Batalioni i Dytë i Këmbësorisë i Brigadës së Parë të Këmbësorisë u shpall njësia më e mirë. Pjesëtarëve të Komandës që kanë treguar rezultate të veçanta në punë iu ndanë masa stimuluese. Gjithashtu, një pllakë mirënjohjeje iu nda Grupit Ushtarak të SHBA-së, ndërsa mirënjohje iu ndanë Batalionit të Forcave Speciale, Orkestrës Ushtarake, Arkivit Shtetëror – Njësia Kumanovë dhe rreshterit Petre Nunev.

Mirënjohje përkatëse, në shenjë falënderimi për kontributin e tyre në Armatë gjatë shërbimit, iu ndanë edhe pjesëtarëve të njësisë të cilët gjatë periudhës së kaluar kishin përmbushur kushtet ligjore për pensionim.

Komanda e Operacioneve tradicionalisht e shënon këtë datë në nderim të 17 tetorit historik të vitit 1878, kur në fshatin Kresna u formua shtabi i Kryengritjes së Kresnës, ngjarje që konsiderohet si një nga shtyllat e traditave ushtarake maqedonase.

Accessibility Menu