EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Zgjidhje e përhershme për ushtarët profesionistë që kanë mbushur moshën 45 vjeç – Misajllovski paralajmëroi reformë të re në Armatë, me të cilën i jepet fund njëherë e përgjithmonë pasigurisë për të ardhmen e ushtarëve profesionistë

Zgjidhje e përhershme për ushtarët profesionistë që kanë mbushur moshën 45 vjeç – Misajllovski paralajmëroi reformë të re në Armatë, me të cilën i jepet fund njëherë e përgjithmonë pasigurisë për të ardhmen e ushtarëve profesionistë

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (20 tetor), në një konferencë për shtyp në Qeveri, paralajmëroi një reformë në Armatën maqedonase, me të cilën ushtarëve profesionistë që mbushin moshën 45 vjeç u ofrohet një mundësi e re për të vazhduar punën në kuadër të Armatës deri në pensionimin e tyre. Kjo, siç theksoi Misajllovski, është një zgjidhje e përhershme që u jep përgjigje sfidave me të cilat janë përballur ushtarët profesionistë në Armatën maqedonase.

„Kjo zgjidhje, pas disa dekadash, u jep fund njëherë e përgjithmonë sfidave me të cilat përballen ushtarët profesionistë. Ushtarët profesionistë janë shtylla e Armatës dhe gjatë pjesës më të madhe të angazhimit të tyre profesional japin gjithçka nga vetja që ne të jemi të sigurt, duke ndihmuar gjithmonë dhe kudo që qytetarët kanë nevojë për ta. Reforma nënkupton se ushtarët profesionistë maqedonas më në fund, dhe me plot meritë, do të mund të jenë të kënaqur dhe të sigurt për të ardhmen e tyre edhe pas moshës 45-vjeçare“, theksoi ministri.

Ai shtoi se, krahas kësaj mundësie të re, mbeten në fuqi edhe mundësitë e deritanishme për marrjen e një kompensimi financiar gjatë largimit nga shërbimi, në vlerë prej dy pagave mesatare për çdo vit të kaluar në Armatë, si dhe mundësia e punësimit në organet e pushtetit shtetëror dhe lokal.

Detajet e reformës i shpjegoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, i cili theksoi se kjo mundësi shtesë u mundëson ushtarëve profesionistë të mbeten në Armatë, duke u angazhuar në sigurimin e pronës dhe personave në kazermat dhe garnizonet e Armatës.

„Me këtë reformë do të zgjidhet një nga kërkesat kryesore të ushtarëve profesionistë që mbushin moshën 45 vjeç, e ajo është ndryshimi i statusit të tyre të punësimit nga marrëdhënie pune me kohë të caktuar në marrëdhënie pune me kohë të pacaktuar. Me këtë propozim-zgjidhje, detyrimi shumë i rëndësishëm për sigurimin e pronës dhe personave të Armatës në garnizone dhe kazerma do të merret përsipër pikërisht nga ushtarët profesionistë, të cilët do të sistemohen në njësitë përgjegjëse për sigurimin e pronës dhe personave në kazerma dhe garnizone“, theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Gjenerali Lafçiski shtoi se qëndrimi i të gjithë gjeneralëve dhe oficerëve që ushtrojnë funksione komanduese dhe drejtuese është se nuk ka personel më të përshtatshëm dhe më të trajnuar për kryerjen e këtyre detyrave sesa ushtarët profesionistë që do të vendosin të mbeten në kuadër të Armatës si personel civil.

Në përputhje me konkluzionet e miratuara nga Qeveria, Ministria e Mbrojtjes, brenda një muaji, duhet t'ia paraqesë ndryshimet në formacionin e Armatës presidentes dhe komandantes supreme të Armatës, ndërkohë që paralelisht po bëhen edhe ndryshime në Rregulloren për sigurimin e objekteve, mjeteve materiale dhe personave të Armatës.

Reforma, e mbështetur nga presidentja dhe komandantja supreme e Armatës, është rezultat i punës së përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes me organizatat sindikale në sektorin e mbrojtjes, si dhe i një analize gjithëpërfshirëse të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, me çka garantohet qëndrueshmëria e saj afatgjatë.

 

Accessibility Menu