EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Partneritet i fuqishëm i mbrojtjes dhe bashkrendim i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, Misajllovski dhe Kallas vizituan Forcat Mjekësore të Specializuara Ballkanike

Partneritet i fuqishëm i mbrojtjes dhe bashkrendim i plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, Misajllovski dhe Kallas vizituan Forcat Mjekësore të Specializuara Ballkanike

Ministri Vllado Misajllovski dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, vizituan sot (më 23 maj) Forcat Mjekësore të Specializuara të Ballkanit (Balkan Medical Task Force), ku inspektuan pajisjet me të cilat Bashkimi Evropian ka mbështetur zhvillimin e kësaj organizate rajonale.

 

Ministri Misajllovski theksoi se mbështetja nga Bashkimi Evropian, por edhe nga aleatët në ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse të Maqedonisë, vjen si rezultat i përkushtimit të sinqertë, gatishmërisë dhe profesionalizmit në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

“Bashkimi Evropian e ka njohur përkushtimin tonë të sinqertë për forcimin e sigurisë, përfshirë edhe kontributin në misionet dhe operacionet paqeruajtëse, dhe ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesave për forcimin e Armatës së Maqedonisë me ndihmë në pajisje në vlerë prej 40 milionë eurosh”, tha ministri.

Ai shtoi se ndihma evropiane ka të bëjë me “pajisje për nevojat e inxhinierisë, për qendrën ushtarako-mjekësore, për Grupin e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, për logjistikën, teknologji të lidhura me inteligjencën, vëzhgimin dhe zbulimin, luftën elektronike, sistemet e komunikimit dhe informacionit, sistemet e komandës dhe kontrollit, pajisje mbrojtëse”, dhe theksoi se kjo ndihmë përfshin edhe trajnimin e personelit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kallas, për Forcat Mjekësore të Specializuara të Ballkanit tha se ato janë një shembull i fuqishëm i bashkëpunimit rajonal që jep rezultate.

“Bashkimi Evropian e mbështet këtë iniciativë si politikisht ashtu edhe financiarisht, sepse ajo pasqyron saktësisht atë për çka angazhohemi në Ballkanin Perëndimor: besim, partneritet dhe arritjen e rezultateve të dukshme për qytetarët. Kjo iniciativë është edhe më e rëndësishme sepse ka të bëjë me shpëtimin e jetëve,” tha Kallas.

Kallas theksoi se Maqedonia e Veriut është një partnere e besueshme, plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke kontribuar në operacionet e BE-së, veçanërisht në EUFOR ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo theksoi se qartësia dhe koherenca në orientimin gjeostrategjik të shtetit tonë “janë çelësi që mund të hapë një bashkëpunim më të thelluar në fushën e mbrojtjes me BE-në”.

Forcat Mjekësore të Specializuara të Ballkanit janë një organizatë ndërkombëtare me seli në Shkup, e formuar me qëllim që të sigurojë një reagim të shpejtë dhe të koordinuar në rast katastrofash të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose faktorë njerëzorë. Vendet anëtare të FMSB janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Sllovenia dhe Mali i Zi.

Accessibility Menu