Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova dhe ministri i mbrojtjes Vllado Misajllovski sot (20 maj) u adresuan në promovimin e vetëvlerësimit gjinor në mbrojtje dhe të Planit të Veprimit Gjinor 2024 – 2028 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, ku përfunduan se ekziston një përparim i dukshëm dhe një trend pozitiv në rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin e mbrojtjes.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se, si komandante e lartë e forcave të armatosura, ndaj çështjeve gjinore në Ushtri dhe në mbrojtje nuk sillet vetëm si vëzhguese, por si pjesëmarrëse aktive.
“Më vjen keq që për shumë gra në mbrojtje, pavarësisht nëse janë pjesë e Ministrisë apo e strukturave ushtarake, beteja e vërtetë nuk fillon në misionet ku marrin pjesë dhe sakrifikojnë njësoj, por brenda radhëve të tyre – si një betejë për kushte të barabarta pune dhe për status të barabartë, si një betejë për të harmonizuar jetën profesionale me obligimet familjare, dhe fatkeqësisht, nganjëherë edhe për vlerësimin e barabartë të punës dhe përparimit,” tha presidentja.
Ajo shtoi se “promovimi i barazisë gjinore, sipas meje, nuk nënkupton përparësi, por heqje të pengesave dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë. Ne duhet ta barazojmë terrenin dhe të hapim hapësirë për shkëlqim, pa marrë parasysh se nga vjen ai.”
Ministri i Mbrojtjes, Misajllovski, e quajti barazinë gjinore një “vlerë civilizuese” që “përmbledh gjithë potencialin dhe kapacitetin dhe krijon sinergji që do të jetë motor i zhvillimit të përbashkët.”
“Për ne prioritet është përfaqësimi më i madh i grave në strukturat e sigurisë – jo vetëm si numër, por si cilësi. Ndoshta hapi më domethënës u bë nga qytetarët e Maqedonisë, të cilët me zgjedhjen e komandantes së parë të lartë të Armatës, presidentes Siljanovska-Davkova në këtë post të lartë shtetëror, treguan se janë çliruar nga paragjykimi nëse shteti dhe forcat e armatosura duhet të udhëhiqen nga një burrë apo një grua,” tha Misajllovski.
Ai theksoi se përmes forcimit të mekanizmave për barazi gjinore, me fokus në trajnimin gjinor në të gjitha nivelet në Ministri dhe në Armatë, shumëfishohet potenciali dhe sjellen zgjidhje të vërteta për përmirësimin e strukturës së brendshme, udhëheqjes, politikave kadrovike, kushteve të punës dhe infrastrukturës. Informoi se në Ministri, 52.3% e pozicioneve drejtuese janë të mbuluara nga gra.
Ministri nënvizoi se përqindja e përfaqësimit të grave duhet të vazhdojë të rritet dhe shtoi se është thellësisht i bindur që “një njeri mund të dallohet vetëm përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit personal – asgjë tjetër.”
Në promovim folën edhe ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larsson Jain, dhe zëvendësdrejtoresha e DCAF – Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë, Béatrice Godefroy, të cilat theksuan rëndësinë e barazisë gjinore. Ambasadorja përgëzoi të gjithë të përfshirët për përkushtimin dhe planifikimin për ta bërë ambientin e punës më të përgjegjshëm gjinor dhe më tërheqës për burrat dhe gratë që të kontribuojnë në mënyrë të barabartë për lidershipin, mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
Zëvendësdrejtoresha e DCAF, Godefroy, falënderoi për bashkëpunimin me Ministrinë dhe tha se “nuk mund të ketë përparim të rëndësishëm apo zhvillim të qëndrueshëm pa pjesëmarrje të barabartë dhe thelbësore të burrave dhe grave.” Ajo theksoi se mbrojtja dhe Ushtria kanë pasur një “qasje profesionale dhe të përkushtuar ndaj vetëvlerësimit gjinor” dhe se “ky proces ishte një mundësi e rëndësishme për reflektim institucional, mësim të ndërsjellë dhe ndërtim të besimit.”
Vetëvlerësimi gjinor dhe Plani i Veprimit për Barazi Gjinore 2024–2028 i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës janë hartuar në bashkëpunim me DCAF – Qendrën e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë, me mbështetje nga Zvicra, Suedia, Holanda dhe Bashkimi Evropian. Plani i Veprimit është një dokument strategjik që bazohet në gjetjet e vetëvlerësimit gjinor dhe parasheh masa dhe aktivitete konkrete për përmirësimin e barazisë gjinore brenda Ministrisë dhe Armatës në fusha si: forcimi i strukturave gjinore, vendimmarrja, zhvillimi profesional, trajnimi, pajisjet, infrastruktura dhe kultura organizative.
Në promovim morën pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Sashko Lafçiski, deputetë të Kuvendit, anëtarë të trupit diplomatik, të punësuar në mbrojtje dhe pjesëtarë të Armatës.