EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Shabani në ceremoninë e Forcave Mjekësore Ballkanike: Ndërtojmë një model të bashkëpunimit rajonal të bazuar në besim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët

Shabani në ceremoninë e Forcave Mjekësore Ballkanike: Ndërtojmë një model të bashkëpunimit rajonal të bazuar në besim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, sot (30 qershor) iu drejtua ceremonisë së organizuar nga Komanda e Forcave Mjekësore Ballkanike (BMTF), me rastin e dorëzimit të kryesimit të Bordit Drejtues të BMTF-së, dorëzimit të detyrës së Komandantit të BMTF-së, si dhe marrjes së pozitës së “vendit kornizë” të kësaj force. Me këtë ceremoni, Maqedonia e Veriut merr komandën e BMTF-së dhe rolin e vendit kornizë, ndërsa Sllovenia merr kryesimin e Bordit Drejtues. Në ceremoni mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.

Në fjalën e tij, zëvendësministri theksoi se Forcat Mjekësore Ballkanike janë dëshmi se një ide e ndërtuar mbi besimin, partneritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët mund të shndërrohet në një model të suksesshëm dhe të njohur të bashkëpunimit rajonal.

„Në një kohë kur rreziqet e sigurisë po bëhen gjithnjë e më komplekse, ndërsa fatkeqësitë natyrore, krizat shëndetësore dhe sfidat humanitare nuk njohin kufij shtetërorë, asnjë vend nuk mund t’i ndërtojë i vetëm të gjitha kapacitetet e nevojshme. Pikërisht për këtë arsye, Forcat Mjekësore Ballkanike janë një shembull se si, duke bashkuar njohuritë, burimet dhe aftësitë tona, mund të ndërtojmë një sistem më të fuqishëm se vetë shuma e pjesëve të veçanta”, tha Shabani.

Ai shtoi se fakti që vendi ynë është nikoqir i Organizatës së Përhershme përbën një vlerësim dhe dëshmi të rolit tonë si partner i besueshëm, si shtet që beson në dialogun, bashkëpunimin dhe zgjidhjet e përbashkëta. Gjithashtu, ai u ndal edhe te marrja e detyrës së komandantit të BMTF-së, duke e cilësuar atë si një akt me rëndësi të veçantë për Armatën maqedonase.

„Kjo nuk është vetëm një nder. Kjo është një përgjegjësi e madhe. Përgjegjësi për të vazhduar zhvillimin e kapaciteteve shumëkombëshe mjekësore, për të siguruar trajnim cilësor, pajisje moderne, interoperabilitet dhe gatishmëri të lartë të njësisë për të gjitha misionet dhe detyrat që mund të lindin në të ardhmen. Jam i bindur se profesionistët tanë do ta justifikojnë besimin që u është dhënë dhe do të kontribuojnë në forcimin e mëtejshëm të Forcave Mjekësore Ballkanike si një kapacitet rajonal i respektuar, plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara”, deklaroi zëvendësministri.

Në ceremoni u drejtuan edhe komandanti në largim dhe komandanti i ri i BMTF-së, koloneli Veljko Miliq dhe koloneli Draganço Vojneski. 

Koloneli Miliq theksoi se sot BMTF është një organizatë ndërkombëtare me status diplomatik, kapaciteti kryesor operacional i së cilës është Spitali Fushor i Nivelit ROLE 2B, i përbërë nga deri në 100 pjesëtarë – profesionistë mjekësorë të kualifikuar dhe të përkushtuar nga gjashtë vendet pjesëmarrëse.“

Koloneli Vojneski vuri në pah reputacionin, arritjet dhe rëndësinë strategjike që kjo organizatë ka ndërtuar gjatë dekadës së fundit, duke shtuar se përvoja e deritanishme dëshmon se sfidat me të cilat përballemi sot mund të tejkalohen vetëm përmes unitetit, koordinimit dhe angazhimit të përbashkët.

Në ceremoni foli edhe ambasadorja e Norvegjisë, Kristin Melsom, e cila theksoi se vendi i saj vazhdon të mbështesë në mënyrë aktive zhvillimin e kapaciteteve dhe interoperabilitetit të Forcave Mjekësore Ballkanike.

Gjatë ceremonisë u shënuan edhe dy jubile të rëndësishëm – 15-vjetori i nisjes së iniciativës për themelimin e Forcave Mjekësore Ballkanike dhe 10-vjetori i themelimit dhe inaugurimit të Organizatës së Përhershme të BMTF-së me seli në Shkup. Me këtë rast, u ndanë edhe mirënjohje për individët që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e kësaj iniciative ndër vite.

Accessibility Menu