Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (2 korrik), në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes, bëri përmbledhjen e rezultateve të arritura në mbrojtje dhe në Armatë gjatë dy viteve të fundit, duke theksuar se vendi është i sigurt dhe i mbrojtur, ndërsa procesi i modernizimit, pajisjes dhe zhvillimit të personelit, i mbështetur nga rritja e qëndrueshme e buxhetit, po realizohet me ritëm intensiv.
„Siç e dini të gjithë, buxheti është mbi 2%... dhe dje dëgjuam nga drejtuesit e parë të NATO-s se, në total, jemi mbi 4%. Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë, jo vetëm për ne, por edhe për shtetin, sepse po investojmë në të gjitha kapacitetet”, deklaroi ministri. Lidhur me kujdesin ndaj të punësuarve, ai bëri të ditur se tashmë kanë nisur bisedimet me të gjitha sindikatat me qëllim hartimin e një Marrëveshjeje të re Kolektive, si dhe ka filluar procesi për gjetjen e një zgjidhjeje për ushtarët profesionistë që mbushin moshën 45-vjeçare. Pagat e të punësuarve, tha ai, do të rriten që nga viti i ardhshëm.
Sa i përket modernizimit të Armatës, ministri theksoi se ky proces po zhvillohet pa ndërprerje.
„Në pjesën e modernizimit dua të theksoj se, në përputhje me buxhetin dhe planifikimet, po i përmbushim të gjitha obligimet”, tha Misajllovski, duke shtuar se, edhe pse kjo paraqet një presion serioz mbi buxhetin e mbrojtjes, nuk ka asnjë vonesë në arritjen e pajisjeve.
Misajllovski informoi në detaje për 16 marrëveshjet e nënshkruara me partnerin strategjik dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë të përgjithshme prej 339 milionë dollarësh amerikanë, ku një pjesë e mjeteve sigurohen nga buxheti i Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesa tjetër përmes mbështetjes amerikane. Ai njoftoi gjithashtu për mbështetjen nga Bashkimi Evropian përmes Fondit Evropian të Paqes, në vlerë prej mbi 40 milionë eurosh, në formën e pajisjeve të dorëzuara në tri dërgesa të veçanta. Dërgesa e parë tashmë ka mbërritur plotësisht, ndërsa aktualisht po arrijnë pajisjet nga dërgesa e dytë.
Ministri renditi edhe pajisjet që tashmë kanë mbërritur: të gjitha 96 automjetet e lehta të blinduara JLTV, dërgesën e parë të automjeteve të blinduara Stryker, kompletimi i të cilave deri në 42 automjete pritet deri në fund të këtij muaji, sistemet e artilerisë Boran nga Turqia, të cilat tashmë kanë mbërritur plotësisht, si dhe sistemet e mbrojtjes kundërajrore Mistral 3 nga Franca, pjesa më e madhe e të cilave ka mbërritur së fundmi. Helikopterët e kompanisë Leonardo do të dorëzohen deri në vitin 2029, ndërsa dy të parët priten të mbërrijnë brenda këtij viti.
Ministria investon edhe në armatimin dhe pajisjet personale të pjesëtarëve të Armatës. Ministri prezantoi të dhëna për furnizimet e realizuara me uniforma, çizme ushtarake, helmeta, jelekë balistikë dhe pajisje për njësinë e mbrojtjes atomike, biologjike dhe kimike (MABK).
„Dua të njoftoj se, nga buxheti ynë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, veçanërisht të Turqisë, aktualisht kemi siguruar mbi 7.000 palë çizme, mbi 8.100 uniforma, si dhe kemi blerë 1.250 helmeta, 1.250 jelekë balistikë dhe më shumë se 2.500 pajisje individuale për njësinë e MABK”, informoi Misajllovski.
Ministria po investon gjithashtu në infrastrukturën ushtarake. Ministri theksoi se gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm do të investohen mbi 12 milionë euro, ndërsa deri më tani janë përfunduar rreth njëzet projekte me vlerë mbi 3,1 milionë euro. Aktualisht janë në realizim pesë projekte me vlerë rreth 850 mijë euro, ndërsa tashmë janë përgatitur edhe projekte të reja që do të zbatohen në të ardhmen, ndër të cilat rindërtimi i hotelit “Shar” në Malin Sharr dhe rikonstruksioni i shumëpritur i Shtëpisë së Armatës në Shkup.
Në konferencë u drejtua edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, i cili foli për pjesëmarrjen e Armatës në stërvitje dhe misione ndërkombëtare. Ai theksoi se gjatë vitit të kaluar Armata mori pjesë në gjithsej 34 stërvitje, ndërsa këtë vit tashmë ka marrë pjesë në 30 stërvitje. Gjenerali përmendi edhe vlerësimin e fundit të NATO-s, ku pjesëtarët e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë fituan statusin “mission capable”, respektivisht “të gatshëm për luftim”, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh që është rezultat i një drejtimi të qartë strategjik dhe pune të palodhshme.
„Ky është një sukses që bazohet në një proces të qëndrueshëm dhe sistematik të planifikimit, përgatitjes, trajnimit, pajisjes dhe modernizimit të Armatës, i realizuar në përputhje me standardet më të larta të NATO-s”, deklaroi gjenerali.
Armata vazhdon të kontribuojë aktivisht në misionet dhe operacionet ndërkombëtare, shtoi Lafçiski, duke bërë të ditur se sot më shumë se 180 pjesëtarë të Armatës janë të angazhuar në kuadër të Forcave Tokësore të Përparuara të NATO-s në Rumani, Bullgari dhe Letoni, në misionin KFOR në Kosovë, misionin EUFOR ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë, misionin UNIFIL në Liban, si dhe në kuadër të misionit të NATO-s NSATU për ndihmë në siguri dhe trajnim për Ukrainën.“
Me këtë rast, gjenerali Lafçiski vlerësoi edhe mbështetjen e vazhdueshme që Armata gëzon nga ministri Misajllovski, Kryeministri Hristijan Mickoski dhe Presidentja e shtetit, njëherazi Komandante Supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova.