Sot (26 mars), në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Mbrojtjes Vlado Misajllovski, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Aleksandar Nikollovski, shefit të Shtabit të Përgjithshëm gjeneral-major Sashko Lafçiski dhe të ngarkuarës me punë shefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së, Nicole Varns, u promovuan 17 automjetet e reja të blinduara të lehta të tipit “Stryker”, të siguruara nga SHBA në kuadër të procesit të modernizimit dhe pajisjes së Armatës maqedonase.
Në këtë ngjarje, kryeministri Mickoski theksoi se investimet në mbrojtje dhe në Armatë vazhdojnë dhe se automjetet “Stryker” do të rrisin ndjeshëm kapacitetet e Armatës.
“Kjo për ne ka rëndësi të madhe, përmirëson operativitetin dhe rrit mobilitetin e Armatës, duke na bërë më konkurrues krahasuar me ushtritë e tjera. Si Qeveri do të vazhdojmë të investojmë edhe në të ardhmen në Armatën tonë”, tha Mickoski.
Ministri Misajllovski theksoi se ky është një nga projektet më të mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se modernizimi vazhdon me ritëm të fuqishëm, pasi mbi 32% e buxhetit të mbrojtjes është dedikuar për këtë qëllim.
“Siç mund të shihni pas meje, tashmë kanë arritur 17 automjete. Të tjerat pritet të arrijnë deri në mes të verës dhe do të vazhdojmë me të gjitha projektet e planifikuara për modernizim”, deklaroi ai. Ai shtoi se falë bashkëpunimit të shkëlqyer me SHBA-në, disa automjete që më parë ishin jashtë përdorimit janë rikthyer në funksion, duke theksuar se priten edhe projekte të tjera që përfshijnë armatim shtesë, pajisje, dronë dhe pajisje për njësitë speciale, me qëllim ndërtimin e një ushtrie moderne dhe të pajisur mirë.
Misajllovski me këtë rast shprehu falënderim për kryeministrin, ministrat, deputetët, përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-së, si dhe për punonjësit e Ministrisë dhe të Armatës që kontribuan në realizimin e këtij projekti dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik.
Nicole Varns, e ngarkuar me punë shefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së, theksoi se me ardhjen e automjeteve “Stryker” dhe me dorëzimin e plotë në periudhën në vijim, vendi po bën një hap të dukshëm përpara në modernizimin e forcave të armatosura dhe forcimin e rolit në Aleancë. Ajo shtoi se SHBA do të mbetet partner i besueshëm në këtë proces dhe në kontributin për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Blerja e automjeteve të blinduara “Stryker” është pjesë e procesit të modernizimit dhe rritjes së kapaciteteve të Armatës dhe realizohet përmes marrëveshjes “qeveri me qeveri” me SHBA-në. Gjatë promovimit u prezantuan edhe aftësitë dhe kapacitetet e këtyre automjeteve.