Në kuadër të shënimit të Ditës së Shtabit të Përgjithshëm më 28 mars dhe ditës kur shteti ynë u bë zyrtarisht anëtar i Aleancës së NATO-s, para objektit të Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt një ceremoni solemne ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralë aktivë dhe në pension, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe komandantë të komandave dhe njësive vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës.
Ministri Misajllovski në fjalimin e tij shprehu falënderim për të gjithë anëtarët aktualë dhe të mëparshëm të Shtabit të Përgjithshëm, organi më i lartë profesional në Armatë që merr vendime strategjike për zhvillimin e saj në të ardhmen. “Përkushtimi dhe vizioni juaj, përfshirë hartimin e planeve për pajisje dhe modernizim, na tregojnë drejtimin që duhet ndjekur për të pasur një Armatë të fortë, të aftë të përmbushë detyrimin e saj kushtetues – një shtet të sigurtë dhe të qëndrueshëm”, theksoi ministri.
Ai shtoi se sinergjia mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës është e qartë dhe e dukshme dhe porositi: ” Do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Do të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën dashuri për atdheun, së bashku dhe të bashkuar për ta zhvilluar Armatën maqedonase!”, theksoi Misajllovski.
Me rastin e gjashtëvjetorit të anëtarësimit në NATO, ministri shprehu respekt për vizionarët që e udhëhoqën shtetin në fillimet e tij dhe për të gjitha brezat që kontribuan në arritjen e këtij qëllimi.
„ Sot, si vend anëtar i NATO-s, së bashku me 31 aleatët tanë, jemi pjesë e vendimmarrjes për sigurinë e Aleancës. Këtë e bëjmë me përgjegjësi maksimale, duke dhënë maksimumin për sigurinë e përbashkët të çdo pjese të territorit aleat”, theksoi ministri.
Gjeneral brigade Orce Jordev, drejtor i Shtabit të Përgjithshëm, theksoi se shënimi i 27 marsit – Ditës së Shtabit të Përgjithshëm, së bashku me përvjetorin e anëtarësimit në NATO, thekson përgjegjësinë tonë për përmbushjen e misionit të Armatës dhe obligimeve në kuadër të sigurisë kolektive, duke e theksuar rolin kyç të Shtabit të Përgjithshëm në planifikim, organizim dhe komandim të Armatës.
Data 27 mars ka rëndësi të veçantë për Armatën, pasi në këtë ditë, para 34 vitesh, u morr në dorëzim Shtabi i Përgjithshëm, një moment kyç në formimin e Armatës pas marrjes së kontrollit mbi territorin shtetëror dhe largimit të ushtarit të fundit të JNA-së.