Sot, në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski”, u mbajt ceremonia solemne në të cilën u promovuan 36 kadetë të gjeneratës së 26-të dhe 1 kadet i diplomuar në Akademinë Ushtarake “West Point” në SHBA, të cilët morën gradën e parë të oficerit – nëntoger, si dhe 16 pjesëmarrës të Kursit për aftësim dhe përsosje profesionale për oficerët e shërbimeve të Armatës, të cilët u promovuan në gradën - toger.
Në ceremoni u drejtua ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili u tha oficerëve të rinj se promovimi i tyre përfaqëson energji të re dhe investim në të ardhmen e Armatës së Maqedonisë dhe në sigurinë e shtetit.
“Dita e sotme është kurorëzimi i këmbënguljes suaj katërvjeçare, por edhe fillimi i arritjeve edhe më të mëdha. Nga sot jeni oficerë – udhëheqës, bartës të besimit të shtetit dhe mbrojtës të vlerave më të larta mbi të cilat mbështetet çdo ushtri profesionale”, tha Misajllovski.
Ministri theksoi se me promovimin e sotëm korpusi i oficerëve pasurohet me të rinj të motivuar dhe ambiciozë, të cilët gjatë shkollimit kanë ndërtuar besim të ndërsjellë, respekt dhe miqësi – vlera që do të jenë themeli i karrierës së tyre profesionale dhe i përballimit të përbashkët të sfidave bashkëkohore të sigurisë.
“Të jesh oficer do të thotë të jesh shembull për të gjithë. Nga sot, ju do të njiheni për përkushtimin, ndershmërinë, integritetin, aftësinë për të marrë vendime të vështira kur është më e nevojshme, për të marrë përgjegjësi kur të tjerët hezitojnë dhe për të vendosur interesat e shtetit dhe të ushtarëve tuaj mbi interesat personale”, theksoi Misajllovski.
Dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Nenad Taneski, në fjalimin e tij para të pranishmëve deklaroi: “Në një kohë të ndryshimeve të shpejta teknologjike, revolucionit informatik, inteligjencës artificiale dhe sfidave të reja të sigurisë, dijet, lidershipi dhe aftësia për të marrë vendime të drejta janë arma më e fuqishme e oficerit bashkëkohor. Prandaj, zhvillimi i Akademisë Ushtarake, avancimi i procesit mësimor, puna kërkimore-shkencore, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe krijimi i kushteve moderne për arsimim nuk janë vetëm nevojë – ato janë investim strategjik në të ardhmen e Armatës“.
Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për pjesëtarët e forcave të armatosura të Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi, si dhe për familjet e tyre.
“Ju falënderojmë për besimin që na keni dhënë duke na besuar arsimimin dhe zhvillimin profesional të oficerëve tuaj të ardhshëm. Ky është një nder për Akademinë Ushtarake dhe një dëshmi e reputacionit të saj si qendër rajonale e arsimit ushtarak.”
Togerja Marija Nedeva, e renditura e para ndër kadetët, theksoi se si gjeneratë gjatë studimeve kanë mësuar se suksesi nuk është vetëm rezultat i përpjekjes individuale, por edhe i punës në ekip, disiplinës dhe përkushtimit.
Sot u promovuan në gradën nëntoger 37 kadetë, prej të cilëve 30 për nevojat e Armatës së Maqedonisë, 2 nga Mali i Zi dhe 5 nga Bosnjë e Hercegovina, si dhe 16 togerë, pjesëmarrës që përfunduan Kursin për aftësim dhe përsosje profesionale për oficerët e shërbimeve të Armatës.
Në ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, ministri i Sportit Borko Ristovski, ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski, komandanti i Komandës për Trajnim dhe Doktrinë, gjeneral brigade Lulzim Nuredini, si dhe përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik nga Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, përfaqësues të vetëqeverisjes lokale dhe mysafirë të tjerë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Armata.