Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, së bashku me Kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe ministrin e sportit, Borko Ristovski, sot shënuan fillimin e ndërtimit të një salle të re shumëfunksionale sportive për nevojat e Akademisë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostolski” dhe Armatës maqedonase.
Në ngjarje, ministri Vllado Misajllovski falënderoi për bashkëpunimin me Ministrinë e Sportit dhe për mbështetjen nga Qeveria, duke theksuar se kjo është investimi i parë në një objekt të ri në Akademinë Ushtarake pas 30 vitesh ekzistencë.
“Pas 30 vitesh, këtu në Akademinë Ushtarake fillon ndërtimi i një objekti të ri që me të vërtetë do të ketë rëndësi për kadetët, studentët dhe të gjithë Ushtrinë. Nuk ndalemi këtu, do të vazhdojmë me shumë projekte të tjera,” tha ministri Misajllovski dhe shtoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është marrë vendim për rindërtimin, përkatësisht projektet për Shtëpinë e ARM-it dhe hotelin “Sharr” në Kodrën e Diellit.
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, theksoi se ky objekt sportiv, i cili kryesisht do të përdoret nga ushtria, do të jetë i tipit të hapur.
“Kjo sallë sportive do të përdoret nga kadetët e Akademisë Ushtarake, ushtria, por nëse ka termine të lira, ajo do të jetë e hapur edhe për aktivitete sportive të nxënësve dhe qytetarëve nga komuna e Aerodromit. Edhe pse afati për ndërtim është dy vjet, ministri Ristovski është optimist se salla do të jetë gati dhe vitin e ardhshëm mund ta lëshojmë në përdorim,” tha Mickoski.
“Vendosja e gur themeli për sallën e re sportive përfaqëson një hap simbolik dhe thelbësor drejt përmirësimit të kushteve për përgatitjen fizike të kadetëve të Akademisë Ushtarake. Kjo sallë nuk është vetëm një objekt sportiv, por edhe një shkollë ku do të kultivohen disiplina dhe puna në grup – vlera që janë po aq të rëndësishme si për sportin ashtu edhe për shërbimin ushtarak. Si Ministri e Sportit, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për krijimin e kushteve moderne, funksionale dhe të aksesueshme për sport,” theksoi Ristovski.
Ky projekt është rezultat i bashkëpunimit të vendosur dhe memorandumit të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Akademisë Ushtarake, me qëllim avancimin e aktiviteteve sportive në kuadër të arsimimit dhe trajnimit të kadetëve ushtarakë.
Në kuadër të sallës së re – objektit shumëfunksional, do të ketë edhe tribunë për 400 persona, hapësirë nëntribune dhe dhoma zhveshjesh. Investitor është Ministria e Sportit, ndërsa vlera e këtij objekti arrin në 64,780,000 denarë me një afat ndërtimi prej 2 vitesh nga fillimi i ndërtimit.