Me rastin e festës më të madhe maqedonase “2 Gusht – Ilinden”, u drejtoj urime të sinqerta pjesëtarëve të Armatës, të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë qytetarëve.
Kjo është dita kur kujtojmë një numër të madh revolucionarësh dhe luftëtarësh për një Maqedoni të pavarur, të cilët me sakrificën e tyre shkruan faqe të historisë maqedonase.
Kjo është dita e Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së parë në Ballkan, por edhe e ASNOM-it dhe Luftës Nacionalçlirimtare.
Kjo është dita që është fanar i luftës sonë për shtetin tonë, sinonim i ekzistencës sonë, i qëndresës sonë të palëkundur!
Dita që është simbol i fitores sonë të madhe!
Prandaj, në shenjë mirënjohjeje për të gjithë heronjtë e njohur dhe të panjohur të historisë sonë, të cilët vendosën themelet mbi të cilat qëndron Maqedonia jonë e sotme, detyra jonë është të respektojmë dhe të festojmë këtë ditë të madhe!
Detyra jonë është gjithashtu të bashkohemi rreth dëshirave të përbashkëta për përparim dhe sukses të Maqedonisë, të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për ndërtimin e një shoqërie moderne, të prosperuar dhe evropiane.
Gëzuar dhe jetëgjatë Dita e Republikës – 2 Gusht, Ilinden!
——————————–
Me rastin e festës së sotme, ministri i mbrojtjes, Vllado Misajllovski, së bashku me zëvendëskryetarin e Qeverisë dhe ministrin për marrëdhëniet mes bashkësive, Ivan Stoilkoviq, dhe ministrin e drejtësisë, Igor Filkov, vendosën kurorë me lule të freskëta në Qendrën Përkujtimore në Pelince, kushtuar Mbledhjes së Parë të ASNOM-it.
Në monumentin përkujtimor “Meçkin Kamen” në Krushevë, kurorë me lule të freskëta vendosi një delegacion i kryesuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Delegacione nga Ministria e Mbrojtjes dhe Armata vendosën kurora me lule të freskëta në monumentet përkujtimore të Presidentit të parë të Presidiumit të ASNOM-it, “Metodija Andonov Çento”, monumentin e “ASNOM-it” dhe para monumentit të Nikola Karevit përpara Kuvendit të Maqedonisë në Shkup, si dhe në varrin e Nikola Karevit, monumentin “Slliva” dhe në Meçkin Kamen në Krushevë.