Në kuadër të Dialogut Strategjik me SHBA-në, i cili po zhvillohet në Uashington, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, udhëhoqi sesionin e parë të bisedimeve të fokusuar në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar partneritetin afatgjatë ndërmjet dy vendeve aleate, i cili “forcon kapacitetet mbrojtëse dhe konsolidon paqen dhe sigurinë”. Para përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit amerikan, Misajllovski theksoi se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve është në një nivel jashtëzakonisht të lartë, duke shtuar se ekziston potencial për një bashkëpunim edhe më të fortë dhe më gjithëpërfshirës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ministri Misajllovski shprehu mirënjohje për gjithë mbështetjen e deritanishme nga SHBA-ja dhe theksoi se ky partneritet strategjik është faktor kyç në procesin e transformimit, përmirësimit, zhvillimit dhe modernizimit të kapaciteteve dhe aftësive tona mbrojtëse. “Mbështetja e vazhdueshme nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë, përmes aktiviteteve të përbashkëta shtesë, mundëson zhvillim të qëndrueshëm të sigurisë, harmonizim me standardet e NATO-s dhe përmbushje të objektivave të kapaciteteve të NATO-s”, tha ai.
Në këto 30 vitet e fundit, Misajllovski theksoi se përmes programeve kyçe të bashkëpunimit të sigurisë të SHBA-së, që përfshijnë aktivitete si grante, kredi, furnizime etj. për vendet aleate, janë realizuar 67 (rreth 70) projekte akvizicioni për nevojat e Armatës maqedonase. Për më tepër, janë zhvilluar një numër i madh ushtrimesh të përbashkëta, trajnime dhe edukime për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Armatës. “Aktualisht janë në proces furnizimi 16 kontrata me SHBA-në, të cilat përfshijnë pajisje për lloje të ndryshme të kapaciteteve mbrojtëse dhe, në përputhje me dokumentet strategjike dhe Planin Afatgjatë për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, po shqyrtojmë mundësi shtesë për zhvillim të vazhdueshëm dhe domethënës të bashkëpunimit me SHBA-në”.
Gjatë sesionit të parë të sotëm, Misajllovski u ndal edhe te buxheti i mbrojtjes dhe planet për rritje, modernizim dhe pajisje gjatë 10 viteve të ardhshme, me qëllim arritjen e objektivave të dakorduara në Samitin e fundit në Hagë, përkatësisht investimin e 3,5% të BPV-së në buxhetin e mbrojtjes dhe 1,5% shtesë të BPV-së për aktivitete dhe projekte të lidhura me sigurinë deri në vitin 2035, duke theksuar se Qeveria maqedonase është seriozisht e përkushtuar për realizimin e këtyre objektivave.
„Investimet në mbrojtje janë të fokusuara në mënyrë strategjike në modernizim, forcimin e interoperabilitetit, gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj realizimit të objektivave të kapaciteteve të NATO-s”, theksoi Misajllovski.
Në kuadër të dialogut strategjik me SHBA-në, i cili ka në fokus thellimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimin afatgjatë në nivel të lartë, delegacioni qeveritar do të zhvillojë disa takime me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, ku përveç çështjeve të mbrojtjes dhe sigurisë do të diskutohet edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe energjetik.