EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Samiti i NATO-s në Ankara: Aleatët janë të bashkuar në qëllimin e tyre themelor – mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s

Samiti i NATO-s në Ankara: Aleatët janë të bashkuar në qëllimin e tyre themelor – mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s

Aleatët mbeten të përkushtuar për forcimin e sigurisë dhe unitetit të Aleancës, ndërsa përmes intensifikimit të bashkëpunimit, rritjes së investimeve në mbrojtje, zhvillimit të industrisë evropiane dhe transatlantike të mbrojtjes, si dhe forcimit të kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse, Aleanca do të bëhet edhe më e fuqishme.

Këto ishin mesazhet e dërguara nga takimi i sotëm (8 korrik) i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive, në të cilin mori pjesë edhe delegacioni i Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i udhëhequr nga Presidentja e shtetit dhe Komandantja Supreme e Armatës, Gordana Siljanovska-Davkova.

Në takim u diskutua edhe Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes në kuadër të Bashkimit Evropian, me mesazhin se “një Evropë më e fortë do të thotë edhe një NATO më e fortë”. Gjithashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale të sigurisë në Ukrainë dhe Iran, si dhe për ndikimin e Kinës.

Në deklaratën e përbashkët pas përfundimit të takimit të liderëve, ministri Misajllovski theksoi se mesazhi i të gjitha vendeve evropiane është se ekziston një politikë e përbashkët e sigurisë dhe mbrojtjes dhe se vendi ynë është pjesë e kësaj politike evropiane.

„Nëse në kuadër të NATO-s jemi një familje në të njëjtin nivel, kjo duhet të vlejë edhe për Bashkimin Evropian”, tha Misajllovski, duke shtuar se shumica e shteteve e përshëndetën kontributin që vendi ynë jep në drejtim të sigurisë kolektive.

Delegacioni maqedonas në këtë Samit të NATO-s në Ankara paraqiti para homologëve të tij qëndrimin dhe përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e vazhdueshëm të kapaciteteve mbrojtëse. Ministri Misajllovski theksoi gjithashtu se vendi ynë mbetet një aleat i përgjegjshëm dhe i përkushtuar, i cili kontribuon në mënyrë aktive në sigurinë kolektive.

Accessibility Menu