EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Misajllovski në ceremoninë qendrore për shënimin e Ditës së Armatës në Ohër: Armata është mbrojtëse e sovranitetit, shtyllë e stabilitetit

Misajllovski në ceremoninë qendrore për shënimin e Ditës së Armatës në Ohër: Armata është mbrojtëse e sovranitetit, shtyllë e stabilitetit

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (18 gusht), në Kampin për Trajnim në Ujë në Ohër, iu drejtua ceremonisë qendrore me rastin e shënimit të Ditës së Armatës, 18 Gushtit. Në fjalimin e tij para Presidentes dhe Komandantes Supreme të Armatës, Gordana Siljanovska-Davkova, ministri theksoi se “Armata është mbrojtëse e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit”, por njëkohësisht edhe shtyllë e stabilitetit, partnere e besueshme e institucioneve dhe forcë e cila është gjithmonë e gatshme t’i shërbejë popullit dhe atdheut.

Në vijim ju përcjellim fjalimin e plotë të ministrit Misajllovski në ceremoninë qendrore me rastin e Ditës së Armatës:

„Gëzuar Ditën e Armatës së Maqedonisë, 18 Gushtin – ditën kur me krenari i rikthehemi traditës së saj, por njëkohësisht me përgjegjësi shikojmë drejt së ardhmes – me të gjitha sfidat e saj.

Nga ky vend, para së gjithash, shpreh mirënjohjen time për të gjitha gjeneratat e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë dhe të punësuarve në mbrojtje, të cilët gjatë gjithë këtyre viteve e kanë ndërtuar këtë institucion dhe sistemin e mbrojtjes. Secili prej tyre, me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, kontribuon në mozaikun që na mundëson të themi qartë dhe me zë të lartë – Maqedonia është shtet i sigurt dhe stabil. Në një kohë të mbushur me pasiguri globale, Armata dhe mbrojtja janë shtylla që, si shtet, na mban të fortë – stabil dhe të sigurtë. Prandaj, kjo ditë para së gjithash u përket ushtarëve maqedonas, e më pas të gjithë qytetarëve, të cilët tregojnë se e vlerësojnë dhe e respektojnë Armatën në tërësi.

Shpesh themi: “Armata është mbrojtëse e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit”. Por, në thelb, ajo është shumë më tepër se kaq. Armata e Maqedonisë është shtyllë e stabilitetit, partnere e besueshme e institucioneve dhe forcë e cila është gjithmonë e gatshme t’i shërbejë popullit dhe atdheut!

Duke pasur parasysh vendin dhe rolin e Armatës në shoqërinë maqedonase, si ministër i Mbrojtjes kam një qëllim – që mbrojtja dhe Armata çdo ditë të jenë më të forta, më të motivuara dhe më mirë të pajisura. Pikërisht për këtë arsye, së shpejti do të kemi Marrëveshje të re Kolektive, një zgjidhje të re e cila do të jetë në të mirë të ushtarëve profesionistë që kanë mbushur moshën 45 vjeç, dhe nga kjo foltore dua të paralajmëroj rritje të pagave dhe kushte më të mira pune nga viti i ardhshëm.

Armata e Maqedonisë dhe pjesëtarët e saj duhet të kenë armatim modern dhe të sofistikuar, si dhe pajisje personale që do të jenë garanci e gatishmërisë së saj dhe përgjigje ndaj sfidave.

Me kënaqësi do të them – procesi i modernizimit të Armatës po realizohet në përputhje me të gjitha planet tona. Ka mbërritur një sasi e konsiderueshme pajisjesh – automjetet e blinduara JLTV dhe Stryker, sistemet e artilerisë Boran, pjesa më e madhe e sistemeve të mbrojtjes kundërajrore Mistral 3, ndërsa këtë vit presim edhe dy helikopterët e parë të rinj. Me mbështetjen evropiane, Armata ka marrë radarë modernë, kamera termike, makineri inxhinierike, automjete transporti, simulatorë mjekësorë dhe shumë lloje të tjera pajisjesh që e kanë forcuar gatishmërinë tonë luftarake.

Kemi nënshkruar marrëveshje të reja me SHBA-në për furnizimin me armë të lehta të këmbësorisë, sisteme pa pilot, sisteme për luftë kundër mjeteve të blinduara, pajisje për mbrojtjen kibernetike të njësive të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, pajisje për mbështetje ajrore, radioaparate, si dhe për përmirësimin e qendrës së simulimit në Veles.

Po blejmë pajisje të rëndësishme, por nuk harrojmë as pajisjet personale për pjesëtarët e Armatës. Sfidat lidhur me furnizimin me uniforma të reja, çizme etj. për ushtarët maqedonas janë tashmë pjesë e së kaluarës. Tani këto furnizohen rregullisht.

Është më se e qartë se mënyra e luftimit konvencional ka ndryshuar dhe, për të qenë të gatshëm për t’u përgjigjur, është e nevojshme të bëhet përshtatja për parandalim dhe mbrojtje. Aktualisht, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm, si organi më i lartë profesional, dhe me aleatët tanë, po punojmë në dokumentet e reja strategjike, të cilat do të na japin udhëzime për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse.

Po e modernizojmë Armatën, por njëkohësisht po përmirësojmë edhe kushtet në të cilat punojnë ushtarët tanë. Gjatë periudhës së kaluar, publiku u njoh nga afër me punimet infrastrukturore në disa kazerma, përfshirë kazermat në Çojli, Veles, Prilep, Shtip etj. Mbi 12 milionë euro janë paraparë të investohen në infrastrukturë në periudhën e ardhshme, ndërsa deri tani investimet kapin vlerën prej mbi 3,1 milionë euro.

Gjithashtu, do të doja të theksoja se po punojmë për vënien në funksion të Qendrës për Trajnimin e Pilotëve, e cila për plot 10 vjet ka qenë tërësisht jofunksionale. Kjo Qendër ka rëndësi të veçantë për komponentin ajror të Armatës, por edhe për institucionet e tjera shtetërore. Në mbështetje të kësaj janë edhe hapat që po ndërmerr Akademia Ushtarake, e cila parashikon themelimin e një katedre për Aviacionin Ushtarak dhe Mbrojtjen Kundërajrore.

Dua të theksoj se në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shtuar ta zhvillojmë Armatën – me edhe më shumë furnizime të llojeve të ndryshme të pajisjeve, me investime të fuqishme në infrastrukturën e Armatës, me më shumë stërvitje dhe më shumë trajnime.

Prandaj, dua personalisht ta falënderoj kryeministrin Mickoski, sepse gjithçka që përmenda është rezultat i faktit se kjo Qeveri e ka njohur nevojën për investime të fuqishme në mbrojtje. Buxheti ynë rritet vazhdimisht, ndërsa investimet e përfshira për projekte dhe aktivitete që lidhen me mbrojtjen, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës dhe avancimin e mobilitetit ushtarak, janë gjithnjë e më të mëdha. Në këtë mënyrë e forcojmë sigurinë tonë, sigurinë e rajonit dhe të krahut lindor të NATO-s, por njëkohësisht tregojmë se jemi aleat kredibil dhe i besueshëm në kuadër të Aleancës.

Ky konstatim nuk rrjedh vetëm nga rritja e buxhetit të mbrojtjes, i cili së bashku me investimet në aktivitetet që lidhen me mbrojtjen këtë vit ka arritur mbi 4 për qind të PBV-së, por edhe nga kontributi ynë i drejtpërdrejtë në sigurinë e hapësirës euroatlantike. Ushtarët maqedonas edhe sot kryejnë detyrat e tyre – në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, në misionin e Aleancës në Kosovë, KFOR, në misionin ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në misionin e OKB-së në Liban. U shpreh mirënjohjen time dhe i përgëzoj për profesionalizmin e treguar përpara kolegëve të tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Në fund, dua ta falënderoj Presidenten për mbështetjen e saj të jashtëzakonshme që na e jep gjatë gjithë këtyre viteve, t’i falënderoj profesionistët në Ministri, Shtabin e Përgjithshëm, Akademinë Ushtarake, por edhe deputetët, ekspertët dhe të gjithë ata që kontribuojnë së bashku për forcimin e sistemit maqedonas të mbrojtjes. 

Do të vazhdoj të punoj së bashku me ta, sepse suksesi i tyre është suksesi ynë. Suksesi i shtetit, suksesi i qytetarëve.

Mirënjohje edhe për shefin e Shtabit të Përgjithshëm, për të gjithë gjeneralët, për të gjithë pjesëtarët e Armatës dhe veçanërisht për kolegët e mi në Ministrinë e Mbrojtjes. Së bashku, në sinergji, punojmë në shumë projekte dhe do të tregojmë atë që jemi – institucioni më i mirë dhe më i organizuar në shtet.

Gëzuar Ditën e Armatës – 18 Gushtin. Rroftë Armata! Qoftë e përjetshme Maqedonia!

Ju faleminderit.”

Accessibility Menu