Me një ceremoni solemne të mbajtur sot (15 korrik) në kazermën „Boro Menkov“ në Kumanovë, u përmbyll me sukses një kapitull i rëndësishëm i Komandës së Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG), selia e së cilës gjatë gjashtë viteve të fundit ishte në vendin tonë. Në përputhje me parimin e rotacionit, Komanda do të vazhdojë misionin e saj në Stamboll, Republika e Turqisë.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi se gjatë këtyre gjashtë viteve të mandatit, vendi ynë dëshmoi se kontribuon me sukses në paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke u afirmuar si një partner i besueshëm, i sigurt dhe aktiv.
Në ceremoninë ku morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, përfaqësues të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (SEDM), kori ushtarako-diplomatik, përfaqësues të Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe mysafirë të tjerë të lartë, Misajllovski theksoi se prania e Komandës në Kumanovë gjatë gjashtë viteve të fundit ka mundësuar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me vendet pjesëmarrëse.
„Gjashtë vite arritjesh, besim të forcuar dhe miqësi të qëndrueshme. Ky është SEEBRIG-u! Një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes, i ndërtuar mbi vlerat që të gjithë ne i ndajmë – besimin e ndërsjellë, partneritetin, solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Evropën Juglindore”, theksoi ministri Misajllovski, duke shtuar se kjo nismë pasqyron përkushtimin tonë të qartë dhe të palëkundur ndaj bashkëpunimit rajonal, sigurisë kolektive dhe respektimit të parimeve.
Në fjalimin e tij, Misajllovski shprehu mirënjohje ndaj vetëqeverisjes lokale dhe qytetarëve të Kumanovës për mikpritjen e treguar, si dhe ndaj të gjithë komandantëve dhe pjesëtarëve të Komandës që shërbyen në Kumanovë për përkushtimin dhe kontributin e tyre në përmbushjen e misionit.
Me rastin e përfundimit të mandatit të Komandës së SEEBRIG-ut dhe në shenjë të bashkëpunimit dhe mbështetjes së shkëlqyer gjatë viteve të kaluara, komandanti i Komandës, gjeneral brigade Bilbil Bitri, ia dorëzoi ministrit Misajllovski flamurin e Brigadës.
Në ceremoninë e sotme morën pjesë edhe kryesuesi i Sekretariatit të SEDM, ambasadori Elefterios Angelopoulos, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Pranvera Skana, zëvendësministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Ljubomir Monov, zëvendësministri i Mbrojtjes i Turqisë, Musa Heybet, si dhe zëvendësshefat e shtabeve të përgjithshme të vendeve të tjera anëtare të Brigadës – Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë dhe Turqisë.