Misajllovski me rastin e betimit solemn të kadetëve të klasës së 30-të të Akademisë Ushtarake: Bëhuni ekip, respektoni njëri-tjetrin dhe mos harroni kurrë se forca e Armatës nuk qëndron vetëm te aftësitë e individit, por edhe te uniteti dhe besimi ndërmjet pjesëtarëve të saj
„Sot është një nga ato ditë që mbahen mend gjatë gjithë jetës. Një ditë kur, me krenari, para të gjithë neve, para familjeve tuaja dhe para atdheut, dhatë betimin me të cilin morët përsipër një nga përgjegjësitë më të mëdha që mund të marrë përsipër një i ri, e ajo është t’i shërbejë atdheut të vet“, tha ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili sot mbajti fjalim në Akademinë Ushtarake „Gjeneral Mihailo Apostollski“, me rastin e betimit solemn të dhënë nga kadetët e klasës së 30-të.
Në ceremoninë ku morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, përfaqësues të korit ushtarako-diplomatik, si dhe prindër dhe familjarë të kadetëve, ministri Misajllovski theksoi se profesioni ushtarak kërkon përgatitje të lartë fizike, qëndrueshmëri psikologjike dhe disiplinë. Ai shtoi se, me përkushtim maksimal gjatë katër viteve të ardhshme, kadetët do të mësojnë të marrin vendime që do të jenë vendimtare për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit dhe, në këtë mënyrë, do ta justifikojnë besimin e qytetarëve.
„Prandaj, mësoni dhe përsosuni vazhdimisht. Bëhuni ekip, respektoni njëri-tjetrin dhe mos harroni kurrë se forca e Armatës nuk qëndron vetëm te aftësitë e individit, por edhe te uniteti dhe besimi ndërmjet pjesëtarëve të saj“, theksoi Misajllovski.
Në ceremoninë e sotme morën pjesë edhe kadetët nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilëve ministri Misajllovski u theksoi se prania e tyre në Akademinë Ushtarake është dëshmi se Akademia është një vend i dijes, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe besimit të ndërsjellë. „Arsimimi juaj i përbashkët është shumë më tepër sesa shkëmbim njohurish. Ai është investim në besimin e ndërsjellë, në miqësinë dhe në sigurinë rajonale“, tha Misajllovski.
Dekani i Akademisë Ushtarake, kolonel Nenad Taneski, foli për betimin dhe vlerat që janë të rëndësishme për çdo kadet që e ka zgjedhur profesionin e oficerit si rrugë të jetës, duke u porositur atyre që detyrën ta vendosin gjithmonë mbi interesin personal.
„Përpara jush janë vite të tëra mësimi, trajnimi ushtarak, sfidash dhe fitoresh personale. Do të përgatiteni për t’u bërë oficerë që do të dinë të mendojnë, të marrin vendime dhe t’i udhëheqin njerëzit me shembullin e tyre personal. Por mbani mend: oficeri i mirë nuk dallohet vetëm nga mënyra se si komandon, por edhe nga mënyra se si sillet me njerëzit që i janë besuar“, theksoi dekani Taneski.
Ai falënderoi ministrin Misajllovski dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Lafçiski, për hapat e rëndësishëm përpara në fushën e modernizimit dhe pajisjes së Armatës, rinovimit të infrastrukturës ushtarake, si dhe për përmirësimin e kushteve në të cilat pjesëtarët e Armatës jetojnë, punojnë dhe trajnohen.
„Për ne, në Akademinë Ushtarake, është veçanërisht e rëndësishme që në këto procese zhvillimore të njihet edhe rëndësia e arsimit, trajnimit dhe krijimit të gjeneratave të reja të oficerëve. Mbështetja që marrim na mundëson t’i përmirësojmë kushtet e punës dhe të ndërtojmë një Akademi të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave bashkëkohore të Armatës“, tha dekani i Akademisë Ushtarake.
Këtë vit, në Akademinë Ushtarake, si pjesë e gjeneratës së 30-të, janë regjistruar 34 kadetë, prej të cilëve 28 (20 meshkuj dhe 8 femra) për nevojat e Armatës maqedonase dhe 6 (4 meshkuj dhe 2 femra) për Forcat e Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.