Sot në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Vlado Misajllovski u takua me delegacionin e Bashkimit Evropian të kryesuar nga Kosmin Dobran, drejtor i Drejtoratit për Paqe, Partneritet dhe Menaxhim të Krizave pranë Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), ku u konfirmua përkushtimi i ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Takimi, i iniciuar nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, është pjesë e Dialogut të vendosur ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe konfirmon gatishmërinë e qartë të BE-së për thellimin e bashkëpunimit me vendin tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Me këtë rast, ministri Misajllovski theksoi se takimi i sotëm, i mbajtur në prag të 9 Majit – Ditës së Evropës, i jep simbolikë shtesë dhe dimension pozitiv dialogut dhe përkushtimit të përbashkët ndaj vlerave evropiane. “Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një qëllim të qartë dhe të padiskutueshëm – forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe përballimin e përbashkët të sfidave bashkëkohore”, theksoi Misajllovski.
“Synimi ynë është të vazhdojmë ta forcojmë bashkëpunimin drejt një faze më konkrete dhe më operative, përmes projekteve dhe programeve të reja. Ministria e Mbrojtjes mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj partneritetit me BE-në. Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, ambicia jonë është të jemi edhe më aktivisht të përfshirë në iniciativat evropiane të mbrojtjes”, deklaroi ministri.
Misajllovski shprehu mirënjohje për tri paketat e mbështetjes përmes Fondit Evropian të Paqes, si dhe për mekanizmat e tjerë financiarë që ofrojnë mbështetje shtesë për forcimin e kapaciteteve të Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Drejtori i Drejtoratit për Paqe, Partneritet dhe Menaxhim të Krizave pranë EEAS, Kosmin Dobran, theksoi se BE-ja është e gatshme të rrisë bashkëpunimin në këtë fushë dhe shtoi se mobiliteti ushtarak ka rëndësi të veçantë për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e qëndrueshmërisë. Ai gjithashtu informoi se BE-ja po shqyrton mundësitë për mbështetje të re me pajisje për Armatën në periudhën e ardhshme.
Bashkimi Evropian, përmes iniciativave dhe mekanizmave të saj, deri më tani ka miratuar disa paketa masash mbështetëse për Armatën në vlerë prej 40 milionë eurosh.
Në takimin e sotëm morën pjesë edhe Emanuel Zhaufret, zëvendësdrejtor për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Mesdheun Lindor dhe Mbretërinë e Bashkuar pranë EEAS, si dhe ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.