Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (15 qershor) ndodhet për vizitë në Paris, Francë, ku mori pjesë në hapjen e panairit ndërkombëtar të mbrojtjes dhe sigurisë “EUROSATORY 2026”, si dhe zhvilloi një takim me Hélène Conway-Mouret, nënkryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Mbrojtje dhe Forca të Armatosura në Senatin francez.
Në takimin me senatoren Conway-Mouret, ministri Misajllovski u ndal te investimet në Armatë, të cilat reflektohen në rritjen e vazhdueshme të mjeteve të ndara për mbrojtjen. Këtë vit, buxheti i mbrojtjes ka arritur në 2,18 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa 32,5 për qind e tij është dedikuar për furnizimin me pajisje të reja dhe të sofistikuara për Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Qeveria e Maqedonisë po investon fuqishëm në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, e rrjedhimisht edhe në mbrojtjen kolektive të Aleancës. Me rritjen e buxhetit për mbrojtje dhe blerjen e pajisjeve të reja, moderne dhe të avancuara, përfshirë sistemet kundërajrore Mistral 3 nga Republika e Francës, pa dyshim po kontribuojmë për një NATO më të fortë dhe qytetarë më të sigurt”, theksoi ministri gjatë takimit.
Në takim, Misajllovski vlerësoi gjithashtu se ekziston një potencial i madh për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Francën, veçanërisht përmes organizimit të trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe shkëmbimit të ekspertizës në sektorin e mbrojtjes.
Gjatë vizitës në panairin EUROSATORY 2026, delegacioni maqedonas pati mundësinë të njihej nga afër me arritjet më të fundit në fushën e teknologjisë ushtarake, gjë që ka rëndësi të veçantë duke pasur parasysh procesin aktiv të modernizimit dhe pajisjes së Armatës.