Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, ministri Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Sashko Lafçiski, sot (10 nëntor) në Akademinë Ushtarake „Gjeneral Mihailo Apostollski“ iu drejtuan klasës së re prej 31 kadetësh dhe 28 dëgjuesve të kursit për oficerë, të cilët dhanë betimin solemn, me çka zyrtarisht e filluan edukimin e tyre ushtarak.
Presidentja Siljanovska – Davkova u tha kadetëve se ata i bashkohen Armatës në momentin kur ajo është më e nevojshme, në një kohë të trazuar me armiqësi dhe tensione në rritje, konflikte të ndezura ushtarake, valë të thella gjeopolitike dhe ndryshime.
„Si oficerë të ardhshëm të ushtrisë maqedonase, por edhe të ushtrisë së NATO-s, nga ju pritet të respektoni dhe të zbatoni standardet më të larta profesionale dhe morale në ballafaqimin me të gjitha llojet e kërcënimeve: tradicionalet, por edhe ato asimetrike dhe hibride, në hapësira të ndryshme: fizike dhe kibernetike. Por, nuk guxoni t’i shpërfillni apo t’i harroni vlerat etike dhe morale, nëse doni të mbeteni njerëz dhe të jeni personalitete”, tha ajo.
Ministri Misajllovski u tha kadetëve dhe dëgjuesve të rinj të kursit për oficerë se uniforma që mbajnë përfaqëson përgjegjësi, duke theksuar se në familjen ushtarake “integriteti dhe besnikëria ndaj atdheut janë vlera që kalojnë nga brezi në brez, vlera që janë të fuqishme dhe frymëzuese.“
„Ju presin sfida që do ta vënë në provë gatishmërinë tuaj fizike, por edhe qëndrueshmërinë psikike. Do të mësoni si t’i zotëroni aftësitë e profesionit ushtarak, do të mësoni kur duhet të reagoni shpejt, të jeni vendimmarrës, por njëkohësisht edhe të durueshëm”, tha ai. Ministri shtoi se procesi i edukimit ushtarak do t’ju mësojë se forca dhe aftësia e vërtetë nuk qëndron vetëm në njohuritë dhe aftësitë që do t’i fitoni, por edhe në veçantinë e karakterit tuaj, në këmbëngulje dhe në besimin se i shërbeni diçkaje shumë më të madhe se vetvetja.
Ministri theksoi se Akademia është simbol i shkëlqimit, si institucion ushtarak “që më shumë se 30 vjet krijon liderë të cilët me dituri dhe patriotizëm mbajnë përgjegjësinë për sigurinë dhe stabilitetin e shtetit tonë.“
Dekani i Akademisë, koloneli Nenad Taneski theksoi se betimi i dhënë është edhe zotim ndaj flamurit, si dhe “një fije shekullore besnikërie që lidh çdo brez që është luftuar për lirinë e vendit tonë.” Për betimin solemn, tha se është premtim para vetes, para popullit të vet dhe para historisë së vet se do ta ruajnë atdheun me dituri, disiplinë dhe dashuri.
„Akademia Ushtarake… tashmë tri dekada qëndron mbi themelet e atyre idealeve. Misioni ynë është të krijojmë oficerin modern — të edukuar, moral dhe të vendosur, njeri që e kupton peshën e fjalës detyrë dhe madhështinë e fjalës nder”, porositi Taneski.