EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Misajllovski në shënimin e 25-vjetorit të Rezolutës 1325: Mbrojtja kryeson në politikat për barazi gjinore

Misajllovski në shënimin e 25-vjetorit të Rezolutës 1325: Mbrojtja kryeson në politikat për barazi gjinore

Sot (31 tetor), ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, së bashku me presidenten Gordana Silljanovska – Davkova, mbajtën fjalime në shënimin e 25-vjetorit të miratimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara – Gra, Paqe dhe Siguri. Në ngjarjen e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Zyra e “UN Women” folën gjithashtu ambasadori i Bashkimit Evropian, Majkëll Rokas, dhe drejtuesja e zyrës së “UN Women”, Vesna Ivanoviq – Kastared.

 

Presidentja Gordana Silljanovska Davkova theksoi se Rezoluta 1325 përcaktoi dy parime themelore – së pari, mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna me bazë gjinore dhe së dyti, pjesëmarrjen e tyre të barabartë me burrat në luftën për paqe dhe siguri.

 

“Kështu, Këshilli i Sigurimit u rreshtua pas arsyes dhe dialogut, e jo pas forcës dhe luftës. Sot, kur shënojmë 25-vjetorin e Agjendës për Gra, Paqe dhe Siguri dhe të Rezolutës 1325, rreth shtatëqind milionë gra dhe vajza jetojnë në një rreze prej pesëdhjetë kilometrash nga zonat e konflikteve, që është shifra më e lartë në tre dekadat e fundit!”, tha presidentja.

 

Ministri Misajllovski informoi për përparimin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë në integrimin e komponentës gjinore dhe aspekteve gjinore në aktet ligjore, nënligjore dhe dokumentet strategjike, duke u fokusuar veçanërisht në faktin se numri i pjesëtareve femra në Armatë vazhdon të rritet.

 

“Veçanërisht dua të theksoj përqindjen e oficereve femra, e cila ka arritur rreth 23 për qind, një shifër që vazhdon të rritet dhe është më e larta deri më tani. Këtu do të shtoja se një sukses të dukshëm mund të shohim edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku sot përqindja e grave në pozita udhëheqëse kalon 50 për qind”, tha Misajllovski.

 

Ai shtoi se e gjithë kjo është arritur me kontributin e të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes, Armatë, Zyrën e “UN Women” dhe përfaqësuesve të tjerë nga sektori qytetar, të cilët vazhdimisht japin kontribut në promovimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e perspektivës gjinore në sektorin e mbrojtjes.

 

“Përfaqësimi i drejtë gjinor dhe krijimi i kushteve të barabarta për zhvillim karriere për gratë dhe burrat është një nga politikat dhe prioritetet strategjike më të njohura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë. Profesionalizmi i lartë dhe përkushtimi ndaj barazisë gjinore kanë rezultuar sot që të gjitha pozitat të jenë të hapura, pra të jenë të aksesueshme si për gratë ashtu edhe për burrat. Gjithashtu, në vazhdimësi punojmë edhe për rritjen e përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe komanduese”, përfundoi ministri.

 

Misajllovski deklaroi se në periudhën në vijim Ministria dhe Armata do të vazhdojnë të angazhohen aktivisht për zbatimin e politikave për barazi gjinore, ngritjen e vetëdijes për mundësi të barabarta dhe avancimin e pozicioneve të grave si në Ministri, ashtu edhe në Armatë.

 

Në ngjarjen e sotme u mbajtën gjithashtu dy panele diskutimi kushtuar përvojave kombëtare dhe lidershipit të grave në institucionet e sigurisë dhe misionet paqeruajtëse.

Accessibility Menu