EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Krerët shtetërorë me urime për profesionalizmin dhe aftësitë e treguara në Ditën e Mysafirëve të Lartë të stërvitjes “SHKËLQIMI 26”

Krerët shtetërorë me urime për profesionalizmin dhe aftësitë e treguara në Ditën e Mysafirëve të Lartë të stërvitjes “SHKËLQIMI 26”

Sot (27 prill), në poligonin ushtarak “Krivollak”, në praninë e presidentes dhe komandantes supreme të Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ministrit të Mbrojtjes Vllado Misajllovski, shefit të Shtabit të Përgjithshëm gjeneral-major Sashko Lafçiski dhe përfaqësuesve të lartë të NATO-s, u realizua Dita e Mysafirëve të Lartë në kuadër të stërvitjes “Shkëlqimi 26”.

Në fjalimin e saj, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se “Armata jonë është faktor stabiliteti dhe ruajtëse e paqes globale”, duke theksuar faktin se sot më shumë se 180 pjesëtarë të Armatës, nën flamurin maqedonas, janë të angazhuar në misione dhe operacione paqeruajtëse. Ajo shtoi se “forca e një ushtrie moderne nuk matet vetëm me pajisjet që posedon, por edhe me meritokracinë në rekrutim dhe avancim, përmirësimin e vazhdueshëm profesional dhe kushte dinjitoze jetese e pune për njerëzit me uniformë”.

“Stërvitja Shkëlqimi 26 është një konfirmim inkurajues dhe frymëzues se Armata maqedonase e kupton natyrën e kohës në të cilën jetojmë dhe përgatitet seriozisht për t’u përballur me sfidat që ajo sjell”, tha presidentja.

Ministri Misajllovski, pas demonstrimit të stërvitjes, theksoi se të pranishmit “ishin dëshmitarë jo vetëm të demonstrimit të aftësive, por edhe të disiplinës, saktësisë dhe profesionalizmit të lartë”, duke theksuar se vlerësimi “luftarakisht e gatshme” është rezultat i motivimit dhe aftësive të pjesëtarëve të Armatës, si dhe i procesit intensiv të modernizimit dhe pajisjes së Armatës maqedonase.

“Armata maqedonase po bën një hap historik përpara sa i përket kapaciteteve të saj. Operojmë me pajisje të reja dhe të sofistikuara, si çdo ushtri tjetër e NATO-s. Pjesëtarët tanë janë në të njëjtin nivel me të tjerët nga Aleanca. Kemi interoperabilitet të plotë, që na mundëson së bashku të mbrojmë atë që për ne është më e shenjta – lirinë, atdheun dhe demokracinë. Të mbrojmë vlerat tona të rrënjosura në shoqërinë maqedonase”, theksoi ministri.

Misajllovski uroi të gjithë pjesëtarët e Armatës të përfshirë në organizimin dhe realizimin e kësaj stërvitjeje, për të cilën tha se ishte jashtëzakonisht komplekse, duke pasur parasysh se mbi 1.500 pjesëtarë punuan në një skenar fiktiv me 25 ngjarje dhe mbi 100 incidente.

Gjenerali Lafçiski theksoi se suksesi është rezultat i një drejtimi të qartë strategjik dhe pune të palodhshme, si dhe i procesit të qëndrueshëm dhe sistematik të planifikimit, përgatitjes, trajnimit, pajisjes dhe modernizimit, të realizuar në përputhje me standardet më të larta të NATO-s.

Para të pranishmëve foli edhe kundëradmirali Thorsten Marks, shefi i J-9 në Komandën e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, i cili theksoi se vendi ynë është një aleat i fortë dhe i besueshëm i NATO-s.

“Që nga anëtarësimi në NATO në vitin 2020, ju keni përmirësuar ndjeshëm pozicionin tuaj mbrojtës. Investoni mbi 2 për qind të PBV-së në mbrojtje dhe kontribuoni në misionet e NATO-s, përfshirë KFOR-in dhe grupet luftarake të NATO-s. Kjo tregon përkushtim të vërtetë ndaj Aleancës dhe sigurisë sonë të përbashkët, duke i vlerësuar njësitë sipas standardeve të NATO-s”, tha ai.

Stërvitja “Shkëlqimi 26” është vazhdim i serisë së stërvitjeve “Shkëlqimi Maqedonas”. Në këtë stërvitje, ku morën pjesë mbi 1.500 pjesëtarë të Armatës, u realizua edhe vlerësimi i objektivit të aftësisë së NATO-s – Grupi i Lehtë Këmbësorik i Batalionit (GLKB), ku nga ekipi vlerësues dhe monitoruesit e NATO-s, njësia fitoi statusin “luftarakisht e gatshme për kryerjen e misionit të saj”. Me këtë vlerësim, GLKB konfirmoi trajnimet e saj, gatishmërinë e lartë luftarake dhe interoperabilitetin me aleatët.

Accessibility Menu