Sot, (17 tetor), në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski mori pjesë në shënimin e Ditës së Komandës për Operacione, komandës më të madhe në kuadër të Armatës maqedonase. Në ceremoninë ushtarake ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Në fjalimin e tij, ministri Misajllovski tha se “anëtarët e Komandës çdo ditë tregojnë profesionalizëm, motivim dhe përkushtim”, duke shtuar se shumica e tyre forcojnë krahun lindor të Aleancës në forcat shumëkombëshe në Rumani, Bullgari dhe Letoni, si dhe janë të angazhuar në përballjen me pasojat e fatkeqësive natyrore në vend.
„Kjëtë përgjegjësi ju e përmbushni plotësisht, duke justifikuar besimin tonë të plotë… dhe ne ekzistojmë për t’ju mundësuar kushtet më të mira dhe pajisjen më moderne”, tha ministri. Ai informoi se buxheti i mbrojtjes do të vazhdojë të rritet, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve është e destinuar për modernizim dhe pajisje. “E meritoni atë!”, u tha ministri anëtarëve të Komandës.
„Vazhdojmë vitin e ardhshëm dhe vitet e ardhshme me një ritëm edhe më të përshpejtuar për të siguruar më shumë fonde dhe projekte të shumta modernizimi për të gjithë ju”, përfundoi ministri.
Gjenerali Lafçiski, ndërkaq, theksoi se Komanda për Operacione përfaqëson një shtyllë të Armatës, duke përmendur misionin e saj primar: përgatitja e vazhdueshme e forcave konvencionale tokësore dhe ajrore për mbrojtjen dhe ruajtjen e integritetit territorial dhe pavarësisë së atdheut.
Gjeneral brigade Mirçe Gjorgoski, komandant i Komandës për Operacione, theksoi se në vitin kur shënojmë pesë vjet të anëtarësimit të plotë në NATO, jemi dëshmitarë të një modernizimi të përshpejtuar të Armatës, me ç’rast ofrojmë një kontribut të duhur ndaj përpjekjeve të Aleancës për krijimin e kapaciteteve në funksion të parandalimit të kërcënimeve të mundshme ndaj sovranitetit dhe sigurisë jo vetëm të shtetit tonë, por të çdo anëtari të NATO-s.
Në kuadër të ceremonisë, si njësi më e mirë u shpall Batalioni i Zbulimit dhe Inteligjencës.