Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot (20 maj), në kazermën “Ilinden”, mori pjesë dhe mbajti fjalim në ceremoninë me rastin e Ditës së Bazës Logjistike, për të cilën tha se është “pjesë e rëndësishme e sistemit dhe element thelbësor për funksionalitetin e Armatës.“
Misajllovski para pjesëtarëve të Bazës Logjistike tha se suksesi i aktiviteteve që realizojnë pjesëtarët e Armatës është rezultat i Bazës Logjistike dhe pjesëtarëve që mundësojnë logjistikë efikase, të organizuar dhe funksionale.
„Logjistika gjithmonë ka qenë shtyllë e suksesit të të gjitha njësive ushtarake dhe për këtë dua t’ju përgëzoj nga zemra. Fakti që ju koordinoni mbështetjen për forcat aleate që kalojnë tranzit nëpër vendin tonë dhe që ofroni mbështetje logjistike për realizimin e ushtrimeve më të mëdha që shënuan këtë periudhë, ndër të cilat edhe stërvitja “Shkëlqimi 26”, për të cilin jemi jashtëzakonisht krenarë, e tregon vendin tuaj thelbësor në sistemin e mbrojtjes”, tha Misajllovski.
Ministri theksoi edhe besimin që qytetarët kanë ndaj Armatës, falë mbështetjes nga Baza Logjistike gjatë përballjes me fatkeqësi natyrore dhe situata krize.
„Mbështetja juaj në përballimin e fatkeqësive të mëdha natyrore dhe situatave të krizës, mbështetja juaj në realizimin e aktiviteteve të organizatave dhe shoqatave të ndryshme, mundëson që Armata të jetë pranë qytetarëve të saj dhe t’u shërbejë si shtyllë ku mund të mbështeten në çdo situatë”, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, zëvendësshefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-major Azim Nuredin, theksoi se Baza Logjistike paraqet segment kyç në sistemin mbështetës të Armatës, duke nënvizuar se pa logjistikë efikase dhe në kohë nuk ka realizim të suksesshëm të asnjë detyre, stërvitje apo operacioni.
Komandanti i Bazës Logjistike, kolonel Muharem Muharemi, theksoi se “logjistika nuk është vetëm mbështetje, ajo është qarkullimi i gjakut i çdo organizate ushtarake – forcë e padukshme që mundëson lëvizje, furnizim, mirëmbajtje dhe funksionalitet në çdo moment dhe në çdo situatë.“
Në ceremoni mori pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani.
Baza Logjistike e shënon 20 Majin në kujtim të Kryengritjes së Razllovecit të vitit 1876, kur filluan përgatitjet e para të organizuara logjistike lidhur me kryengritjen. Me vendim të presidentit dhe komandantit suprem të Armatës, kjo datë është caktuar si Dita e Bazës Logjistike.