EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Ministri Misajllovski në takim me gjeneralin Grinkeviç: Vazhdojmë të forcojmë kapacitetet e Armatës dhe, me këtë, edhe sigurinë kolektive të Aleancës

Ministri Misajllovski në takim me gjeneralin Grinkeviç: Vazhdojmë të forcojmë kapacitetet e Armatës dhe, me këtë, edhe sigurinë kolektive të Aleancës

Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (30 qershor) në Ministrinë e Mbrojtjes zhvilloi një takim me Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, gjeneralin Alexus G. Grinkeviç, i cili ndodhet për një vizitë disaditore në vend.

Në takim, ministri Misajllovski shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer me Komandën Aleate për Operacione, duke theksuar se pjesëtarët e Armatës maqedonase do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në sigurinë e krahut lindor të Aleancës, si pjesë e forcave shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani. Ministri u ndal gjithashtu te investimet në mbrojtje dhe zhvillimi i Armatës.

„Po i forcojmë kapacitetet e Armatës dhe, me këtë, edhe sigurinë kolektive të Aleancës. Po investojmë në procesin e modernizimit dhe pajisjes, i cili, paralelisht me investimin tonë në zhvillimin e personelit të Armatës, mundësoi që Grupi i Lehtë i Batalionit të Këmbësorisë së fundmi të marrë vlerësimin ‘i gatshëm për luftim dhe për kryerjen e misionit’, në përputhje me standardet më të larta të NATO-s”, tha ministri gjatë takimit, duke shtuar se vendi mbetet një aleat i besueshëm dhe kredibil në kuadër të Aleancës.

Në takimin me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në zonën e operacioneve të Aleancës, procesin e pajisjes dhe modernizimit të Armatës, si dhe kontributin aktual me forca dhe mjete në mbështetje të planeve rajonale të mbrojtjes të NATO-s, ku vendi ynë është një pjesë e rëndësishme. 

Në kuadër të vizitës, gjenerali Grinkeviç zhvilloi takim edhe me Kryeministrin Hristijan Mickoski, ndërsa do të takohet edhe me Presidenten dhe Komandanten Supreme të Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën ka komandën e përgjithshme mbi të gjitha operacionet e NATO-s në nivel strategjik. Gjenerali Grinkeviç ushtron detyrën e tij nga selia e Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), në Mons të Mbretërisë së Belgjikës. Njëkohësisht, ai mban edhe detyrën e Komandantit të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , me seli në Shtutgart të Gjermanisë.

Accessibility Menu