Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, sot (5 prill) në Kuvendin e Maqedonisë iu drejtua anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s me mesazhin se NATO – Aleanca nuk ekziston vetëm për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare, por për të mbrojtur vlerat e përbashkëta që janë pjesë e shoqërive tona.
Para kryeministrit Hristijan Mickoski, delegacionit nga Kuvendi të udhëhequr nga deputeti Dragan Kovaçki dhe anëtarëve të komitetit të përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të kryesuar nga presidenti Markos Perestrelo, ministri theksoi se “NATO nuk është vetëm një aleancë e demokracive, NATO është një ideal i cili bazohet në bindjen se vetëm së bashku dhe të bashkuar mund ta mbrojmë dhe forcojmë mënyrën tonë të jetesës, në të cilën çdo qytetar është i barabartë dhe liritë në çdo aspekt janë të garantuara.”
Misajllovski shtoi se në Aleancë kujdesi për njëri-tjetrin është më shumë se i dukshëm, dhe dëshmi për këtë, tha ai, është oferta nga vendet aleate për mbështetje dhe ndihmë të pakushtëzuar pas ngjarjes tragjike në Koçan.
„Kur i gjithë kombi ishte në shok, thirrjet e para për ngushëllim, por edhe për solidaritet dhe mbështetje erdhën pikërisht nga kolegët e mi – ministrat e mbrojtjes nga vendet aleate, dhe për mua nuk ka dëshmi më të madhe se nuk jemi vetëm. Ne kemi 31 aleatë, kemi miq të vërtetë tek të cilët mund të drejtohemi për ndihmë. Kjo është NATO. Kjo është aleanca. Kjo është lidhja e pathyeshme që i bashkon 32 vendet e Aleancës në një forcë të unifikuar.
Ministri iu referua edhe sfidave të sigurisë me të cilat përballet kontinenti, si dhe nevojës për investime të vazhdueshme në mbrojtje, për të cilat shteti ynë ndan 2 për qind të produktit të brendshëm bruto dhe pothuajse një të tretën e atyre mjeteve për modernizimin dhe pajisjen e Armatës. Pjesëtarët maqedonas, shtoi Misajllovski, me pjesëmarrjen në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, kontribuojnë gjithashtu në sigurinë e krahut lindor të Aleancës.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është një organizatë multilaterale që përbën një lidhje thelbësore mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare, duke kontribuar në forcimin e vlerave transatlantike të Aleancës. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga 32 vendet anëtare të NATO-s, delegatë nga vendet partnere, nga asambletë parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, si dhe delegatë nga Parlamenti Evropian.