EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Kreu shtetëror dhe ushtarak në shënimin e përvjetorit të 5-të nga anëtarësimi në NATO: Vazhdon zhvillimi i Armatës sonë sipas standardeve të Aleancës

Kreu shtetëror dhe ushtarak në shënimin e përvjetorit të 5-të nga anëtarësimi në NATO: Vazhdon zhvillimi i Armatës sonë sipas standardeve të Aleancës

Sot (28 mars) në kazermën “Ilinden” në Shkup, përvjetori i pestë i anëtarësimit të vendit tonë në Aleancën e NATO-s u shënua me një minutë heshtje dhe me 59 të shtëna ceremoniale për të nderuar 59 viktimat e tragjedisë në Koçan.
Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, përpara Presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrit Hristijan Mickoski, komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralit Stuart Munsch dhe të ftuarve të tjerë të lartë, theksoi se kjo ditë shënon jo vetëm përvjetorin e anëtarësimit në NATO, por edhe bashkimin dhe mbështetjen reciproke mes nesh.
“Fjalët e ngushëllimit, por mbi të gjitha, gatishmëria për të ndihmuar është ajo që na bën, si 32 vende anëtare të NATO-s, një forcë e bashkuar, e gatshme të mbështesë çdo vend anëtar,” tha ai.
Misajllovski theksoi se NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarako-politike që mbron kufijtë e jashtëm të vendeve anëtare, por një aleancë me një thelb të përbashkët – kujdesin për njëri-tjetrin.
Ministri gjithashtu vlerësoi profesionalizmin e 146 pjesëtarëve të Armatës të angazhuar për mbështetje pas tragjedisë në Koçan, të cilët “duhej të përballeshin me ndjenjat dhe dhimbjen e tyre dhe të përgjigjeshin në mënyrën më profesionale ndaj detyrave.”
“Sa herë që përmendim fjalën hero, duhet të kujtojmë se Maqedonia ka pasur shumë në historinë e saj, disa prej të cilëve kanë dhënë jetën e tyre, ndërsa të tjerë janë mes nesh çdo ditë, të gatshëm për të ndihmuar – dhe disa prej tyre janë padyshim pjesëtarë të Armatës sonë,” tha Misajllovski, dhe shtoi se ,,na nevojiten ndryshime që nënkuptojnë respektimin e ligjeve dhe ndërtimin e një shoqërie funksionale, të drejtë dhe modern”.
Sipas ministrit, sistemi mund të ndryshohet vetëm nëse secili jep kontributin e tij, me respektim të plotë të rregullave – kjo është dashuria për atdheun, respektimi i shtetit dhe i çdo bashkëqytetari.
Duke folur për përfitimet e anëtarësimit në NATO, Misajllovski tha se kjo është një garanci dhe mundësi për ekonominë maqedonase. Ai shtoi se mbrojtja do të vazhdojë të investojë me ritëm të lartë në modernizimin dhe pajisjen e Armatës sipas standardeve më të larta të Aleancës.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se që nga vitet e para të pavarësisë është ndërtuar një konsensus kombëtar mbi nevojën për integrim në NATO, si një parakusht për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e brezave të ardhshëm.
Anëtarësimi në NATO, tha presidentja, u njoh si një objektiv strategjik, së bashku me integrimin në Bashkimin Evropian.
“Mes nesh janë disa nga veteranët e mbrojtjes maqedonase, të cilët e kanë përkushtuar karrierën e tyre për të arritur këtë objektiv. Megjithatë, është fakt se për këtë qëllim strategjik janë bërë përpjekje të mëdha, janë bërë sakrifica dhe kompromise të dhimbshme që nuk janë kërkuar nga asnjë shtet tjetër kandidat. Pjesa më e vështirë e rrugës për në NATO padyshim është përshkuar nga pjesëtarët ushtarak dhe civil të Armatës sonë, të cilët, përmes reformave të vështira, stërvitjeve të vazhdueshme ushtarake dhe misioneve paqeruajtëse të rrezikshme, kanë fituar përvojë të paçmueshme dhe respekt të madh nga aleatët,” tha presidentja.
Duke iu referuar tragjedisë në Koçan, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, theksoi se ky incident tregoi vlerën e aleancës, miqësisë dhe fqinjësisë së mirë, duke theksuar se në momentet më të vështira, rajoni dhe më gjerë u mobilizuan për mbështetje të pakursyer. Ai shtoi se kjo tragjedi ilustroi thelbin e vërtetë të NATO-s, të shprehur përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të vendeve anëtare.
Duke folur për sfidat e ardhshme të Armatës, gjeneral Lafçiski tha: “Qëllimi ynë mbetet krijimi i një Armate moderne, mobile dhe teknologjikisht të avancuar – një Armatë që është një aleat i besueshëm, që përmbush me përpikëri detyrimet ndaj Aleancës dhe është e përkushtuar ndaj sigurisë kolektive.”
Admirali Stuart Munsch, si përfaqësuesi më i lartë i strukturave të NATO-s në këtë ngjarje, theksoi se vendi ynë ka dëshmuar shumë herë se është një aleat i fortë dhe i aftë. Ai theksoi se për dekada të tëra, ushtarët tanë kanë qëndruar krah për krah në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak, dhe se përmes misioneve në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, Maqedonia e Veriut ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj sigurisë rajonale.
“NATO mund të mbështetet te Maqedonia e Veriut, dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështetet te NATO,” tha admirali Munsch.
Në kuadër të përvjetorit të anëtarësimit në NATO, për herë të parë në Armatën maqedonase u dha “Medalja e NATO-s për vigjilencë” për gjithsej 326 pjesëtarë të Armatës që morën pjesë në kuadrin e forcave shumëkombëshe të Aleancës në Letoni, Rumani dhe Bullgari nga qershori i vitit 2022 deri në dhjetor 2024.
Kjo medalje u dha për personelin që ishte nën komandën e Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropën që nga 24 shkurti, 2022.

Accessibility Menu