Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot (27 nëntor 2025) në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, së bashku me ministra të mbrojtjes nga vendet e rajonit, mori pjesë në takimin ministror të procesit SEDM, qëllimi kryesor i të cilit është përmirësimi i stabilitetit dhe sigurisë në rajon përmes zhvillimit të bashkëpunimit ushtarako-politik ndërmjet vendeve anëtare.
Gjatë sesionit të parë të takimit ministror, ministri Misajllovski u ndal në disa sfida kyçe të sigurisë në nivel global – agresionin rus ndaj Ukrainës dhe përshkallëzimin e dhunës në Lindjen e Mesme, duke theksuar se, megjithëse gjeografikisht i largët, rajoni ndodhet nën ndikim të fortë të pasigurisë së përgjithshme dhe se e vetmja zgjidhje e qëndrueshme është respektimi i parimeve të së drejtës ndërkombëtare, dialogu dhe zgjidhja paqësore e të gjitha mosmarrëveshjeve.
„Paqja e qëndrueshme kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin shumë më tepër se masa ushtarake, pra përfshin diplomaci, përgjegjësi dhe transparencë, mbështetje humanitare dhe zhvillim afatgjatë”, tha Misajllovski. Ai shtoi se “detyrimi ynë i përbashkët është që kapitulli i ardhshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të mos formësohet nga konfliktet dhe ekstremizmi, por nga dialogu, solidariteti dhe respekti ndaj normave ndërkombëtare që do të mundësojnë një botë të sigurt dhe të drejtë për të gjithë.“
Sa i përket të ardhmes së procesit SEDM, ministri dha mbështetje të plotë për grupin punues të ekspertëve që po punon në dokumentin konceptual për forcimin e rëndësisë së Brigadës së Evropës Juglindore – SEEBRIG.
„Brigada është jashtëzakonisht e rëndësishme për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe jam i bindur se ajo do të vazhdojë t’i zhvillojë objektivat e procesit SEDM”, tha ai. Si vend-nikoqir i selisë kryesore të Brigadës, ministri theksoi se mbështetja jonë për këtë proces është e qartë, duke e cilësuar atë si “instrument për unitet dhe kohezion” ndërmjet vendeve të rajonit.
Në takim, ministrat u informuan për aktivitetet e realizuara që nga takimi i fundit ministror në nëntor 2024 në Tiranë, duke u theksuar se një nga projektet më të rëndësishme të SEDM-it është Brigada e Evropës Juglindore – SEEBRIG, komanda e së cilës deri në vitin 2026 është e vendosur në Kumanovë.
Takimi ministror u bashkë-organizua nga ministri i Mbrojtjes së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zukan Helez, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes së Greqisë, Athanasios Davakis, dhe kryesuesin e Sekretariatit të SEDM-it, ambasadorin Elefterios Angelopoulos.
Nisma SEDM, e formuar në vitin 1996, bashkon vendin tonë, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Gjeorgjinë, Greqinë, Italinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Turqinë, Ukrainën, SHBA-të dhe Moldavinë. Sipas rendit të përcaktuar, Greqia do të kryesojë SEDM-in deri në gjysmën e parë të vitit 2027, pas së cilës kryesimin do ta marrë vendi ynë.
Në kuadër të nismës funksionojnë edhe projekte të tjera të rëndësishme: SEESIM – projekt për ushtrime simulimi, projekti “Gratë lidere në mbrojtje dhe siguri”, projekti për ndërlidhjen e spitaleve ushtarake, si dhe portali SEDM për shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit ndërmjet vendeve anëtare.