Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska Ristova, sot (1 dhjetor) në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” mbajti fjalim në hapjen e projektit rajonal të titulluar “Forcimi i kapaciteteve për hetim, ndjekje penale dhe gjykim të incidenteve MABK në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, një trajnim nën patronazhin e Qendrave të Ekselencës të BE-së për reduktimin e riskut nga MABK dhe Instrumenteve të Politikës së Jashtme të Komisionit Evropian. Në hapje u adresuan edhe Ben Nupnau nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Talgat Toleubajev, koordinator rajonal i Institutit për Kërkime të Krimit Ndërrajonal dhe Drejtësi të Kombeve të Bashkuara.
Sekretarja shtetërore Çupovska Ristova theksoi se menaxhimi i suksesshëm i incidenteve MABK varet nga bashkëpunimi i përkryer midis institucioneve, profesionistëve të fushës dhe shteteve.
„Nevojiten hetues që mund të sigurojnë dhe analizojnë prova të ndjeshme; laboratorë që japin rezultate të sakta dhe në kohë; struktura të zbatimit të ligjit që veprojnë në mënyrë të sigurt dhe efikase; dhe institucione gjyqësore që sigurojnë procedurë të drejtë, të informuar dhe të ligjshme”, tha ajo.
Çupovska Ristova falënderoi organizatorët, institucionet partnere dhe ekspertët që kontribuojnë në këtë aktivitet kyç, duke theksuar se vendi ynë “mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj pjesëmarrjes aktive në projekte të tilla rajonale, duke njohur rëndësinë e tyre për forcimin e rezistencës kombëtare dhe rajonale.“
Projekti, i cili përveç vendit tonë përfshin edhe Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi, me aktivitetin në Shkup hyn në fazën e tij të dytë – simulimin e një procesi gjyqësor, ku segmentohet teoria me praktikën. Në fazën e parë, në aktivitetin në Sarajevë, pjesëmarrësit fituan njohuri teorike dhe analitike në lidhje me procedurat dhe qasjen ndaj hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të incidenteve MABK.