Ministri uroi pjesëmarrësit në stërvitje si dhe Komandën e SEEBRIG-ut, e udhëhequr nga komandanti, gjeneral brigade Bilbil Bitri, për profesionalizmin e lartë dhe standardet e mëdha të treguara në organizimin e një stërvitjeje kaq komplekse, e cila përfshin elemente të simuluara me kompjuter dhe një ushtrim fushor në poligonin ushtarak “Krivollak”.
„Më vjen shumë mirë që mbi 200 persona marrin pjesë drejtpërdrejt në këtë stërvitje dhe që mund të shohim se si së bashku përballen me situata të paparashikuara dhe më pas se si vendoset paqja, gjë që është shumë e rëndësishme. Përgëzime për të gjithë, vërtet profesionalisht. Urime për SEEBRIG-un, për të gjitha vendet dhe pjesëmarrësit,” – tha ministri.
I pyetur nga gazetarët për planet për zhvillimin e mbrojtjes dhe të Armatës, ministri Misajllovski informoi se procesi i pajisjes dhe modernizimit të Armatës po realizohet vazhdimisht. Ai theksoi se gjatë këtij viti pritet të përfundojë tërësisht furnizimi me automjetet JLTV, të arrijnë automjetet e blinduara Stryker, sistemet kundër-ajrore Mistral dhe sistemet artilerike Boran. Misajllovski konfirmoi gjithashtu se po punohet për kapërcimin e sfidave juridike lidhur me furnizimin me helikopterë, për çka është përzgjedhur një kompani që do të ofrojë këshilla juridike në këtë proces. Ai shtoi se janë ndarë mjete të konsiderueshme edhe për rindërtimin e objekteve të Armatës, përfshirë edhe ato të njësive rajonale, si dhe për furnizimin me uniforma dhe çizme të reja për pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Gjenerali Lafçiski, nga ana e tij, theksoi se ndërveprueshmëria mes të gjithë pjesëmarrësve në stërvitje është në një nivel të admirueshëm, duke e vlerësuar stërvitjen si të realizuar me sukses. Ai informoi se 90 përqind e pjesëmarrësve në pjesën fushore të stërvitjes janë pjesëtarë të Batalionit të Dytë të Brigadës së Parë të Këmbësorisë së Armatës.
Në Ditën e Mysafirëve të Lartë në kazermën e Velesit morën pjesë edhe zëvendësministrja, Elfet Ismaili, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Azim Nuredin, sekretarja shtetërore në Ministri, Elizabeta Çupovska Ristova, drejtori i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Orce Jordev, komandanti i Komandës për Operacione, gjeneral Mirçe Gjorgoski dhe komandanti i Komandës për Trajnim dhe Doktrina, gjeneral Lulzim Nuredini.
Stërvitja “Seven Stars 25” është organizuar nga Komanda e Brigadës çdo dy vjet. Këtë vit, në aktivitete janë përfshirë mbi 200 pjesëtarë të SEEBRIG-ut, ndërsa qëllimi është ushtrimi i procedurave dhe veprimeve të NATO-s, në funksion të zhvillimit të ndërveprueshmërisë dhe procedurave për komandim dhe kontroll. Kjo stërvitje kontribuon në forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon dhe demonstron gatishmërinë e Brigadës për të realizuar operacione shumëkombëshe për mbështetje të paqes.