„Potenciali njerëzor në fushën e mbrojtjes është njëri ndër resurset tona më të mëdha dhe për këtë, me përkushtim dhe me ambicie vazhdojmë të punojmë në shkathtësitë e secilit të punësuar në mbrojtje“, tha sekretarja shtetërore e Ministrisë së Mbrojtjes, Elizabeta Çuрovska Ristova në takimin e sotëm (23 janar) me ambasadoren e Mbretërisë së Norvegjisë të akredituar në vendin tonë, Kristin Melsom dhe ekipit të përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë dhe Qendrës për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes.
Në këtë takim Çupovska Ristova theksoi se zhvillimi i punëtorëve të mbrojtjes është njëri ndër tre shtyllat kryesore të ministrit Vllado Misajllovski dhe se ajo ofron mbështetje të plotë për projektin e zhvillimit të kapaciteteve, kompetencave, shkathtësive analitike të kuadrit udhëheqës në Ministrinë e Mbrojtjes, qëllimi i të cilit është përmirësimi i proceseve të krijimit të politikave dhe vendimarrjes.
Delegacioni norvegjez ndau përvojat nga funksionimi i Akademisë së Zyrtarëve Shtetëror pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë, duke e theksuar mundësinë për zbatimin e një pjese të plan programit mësimor të kësaj Akademie, për të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut. Pjesë e projektit për zhvillimin e kuadrit udhëheqës në mbrojtje do të ishin dhjetra të punësuar, të zgjedhur përmes sistemit të përzgjedhjes të cilët në tre sesione të njëpasnjëshme, duke filluar nga muaji prill 2025, do të fitonin njohuri në fushën e qeverisjes së mirë në sektorin e mbrojtjes, rritjen e efikasitetit në mbrojtje dhe integrimit të vlerave kyçe, si profesionalizmi, objektiviteti dhe të qenurit të hapur ndaj të gjitha detyrave profesionale në Ministri.
Ekipi i Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë aleate ishte i përbërë nga drejtoresha e përgjithshme e Sektorit për Politikë Personale pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë, Kjersti Kllaboe, drejtorit për zhvillim në vendet tjera, Fridhjof Sogard, ndërsa në këtë takim mori pjesë edhe atasheu i mbrojtjes së Norvegjisë, koloneli Dag-Magne Lunde.
Zhvillimi i bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Norvegjisë është inkurajuar edhe nga bashkëpunimi i deritanishëm mjaft i suksesshëm ndërmejt dy vendeve dhe dy institucioneve në ndërtimin e integritetit në fushën e mbrojtjes.