Sot (18 korrik) në kazermën “Mirçe Acev” në Prilep, në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, u promovua një bateri e re artilerike e përbërë nga gjashtë obusa 105 mm “Boran” dhe pajisje të tjera shoqëruese, të cilat janë blerë nga Turqia në kuadër të procesit të modernizimit dhe pajisjes së Armatës.
Në promovim, kryeministri Mickoski theksoi se “nuk ka më improvizime, nuk ka më pajisje të vjetruara dhe mbështetje deklarative”, por investime reale, plan, strategji, vullnet dhe përgjegjësi.
“Me këtë blerje, ne ndërtojmë shtetin që qëndron me vetëbesim krah për krah me aleatët. Maqedonia që kujdeset për ushtarët e saj, që respekton Armatën e saj dhe që e di se një Armatë e fortë do të thotë një popull i sigurt. Të gjithë pjesëtarëve të Armatës –Urime.
Kjo pajisje është për ju. Për sigurinë tuaj, për aftësitë tuaja dhe për përkushtimin tuaj ndaj atdheut. Ju jeni muri ynë i parë dhe krenaria e shtetit. Maqedonia duhet të ketë sukses. Dhe do të ketë sukses vetëm nëse është e fortë, e pavarur dhe e sigurt”, tha Mickoski.
Ministri Misajllovski theksoi se Ministria investon dhe do të vazhdojë të investojë në Armatën që “ndërtohet vazhdimisht, me çdo ditë që kalon”. Ndërtimi i kapaciteteve mbrojtëse të Maqedonisë, tha ai, nënkupton një Armatë të fortë dhe të pajisur, gjithmonë e gatshme për të përgjigjur ndaj nevojave të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit.
“Kjo pajisje është prodhuar në Turqi sipas standardeve më të larta të NATO-s. Blerja e kësaj pajisjeje ushtarake përmes marrëveshjes Qeveri me Qeveri dërgon një mesazh të qartë se ne kemi besim të madh në cilësinë e lartë të produkteve të industrisë ushtarake turke”, tha ministri.
Misajllovski falënderoi ambasadorin Fatih Ulusoy, atasheun e mbrojtjes kolonel Reçai Jilmaz dhe të gjithë personat e përfshirë për mbështetjen dhe përkushtimin e sinqertë, duke shtuar se bashkëpunimi është i ndërsjellë, dhe një shembull i suksesshëm i kësaj është Marrëveshja Kuadër për bashkëpunim ushtarak, e cila u nënshkrua vitin e kaluar.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, tha se me blerjen e obusave “Boran” fillon realizimi i një prej komponentëve kyç në kuadër të projektit “Pajisje dhe municion për mbështetje zjarri indirekte” dhe kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve tona nga paketa e Qëllimeve të Kapaciteteve të NATO-s të përcaktuara në vitin 2021 dhe të konfirmuara me pakon e re të qëllimeve të vitit 2025.
“Bëhet fjalë për armatim të ri dhe modern që posedon karakteristikat e kërkuara taktiko-teknike. Forcat e armatosura turke e morën këtë armatim në vitin 2021, dhe vetëm katër vjet më vonë, ai është pjesë e Armatës sonë, duke na bërë vendin e parë në Evropë që e posedon. Sigurimi i këtyre mjeteve artilerike forcon ndjeshëm kapacitetet për mbështetje zjarri indirekte të Ushtrisë, dhe në të njëjtën kohë arrihet interoperabiliteti i dëshiruar për pjesëmarrje në operacionet e udhëhequra nga NATO”, theksoi gjenerali.
Ambasadori i Turqisë, Fatih Ulusoy, nënvizoi se bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes përbën një pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe dhe se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit është një prioritet i politikës së jashtme turke.
“Sot, së bashku shohim shembuj konkretë të bashkëpunimit tonë në fushën e industrisë ushtarake dhe të mbrojtjes. Obusat BORAN të MKE dhe sistemet e komandës dhe kontrollit të mbështetjes zjarri të ASELSAN, të cilat Maqedonia e Veriut i bleu nga vendi ynë, janë një hap i rëndësishëm në arritjen e standardeve të NATO-s nga ana e Armatës së Maqedonisë së Veriut. Ne vlerësojmë se kompanitë tona, të cilat prodhojnë sipas standardeve evropiane dhe me çmime të ulëta, do të vazhdojnë të kontribuojnë në përpjekjet për modernizimin e aleatit tonë, Armatës së Maqedonisë së Veriut, sipas standardeve të NATO-s”, theksoi ambasadori Ulusoy.
Gjashtë obusat “Boran” janë pjesë e baterisë së deklaruar të batalionit të artilerisë në kuadër të Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë të Armatës.