Më 7 maj, në Qendrën për Trajnim të Mbrojtjes “Dr. Xhosef Kruzel” në Shkup, u realizua moduli i dytë i “Akademisë për kuadër udhëheqës”, ku ndër të tjera u diskutua për zhvillimin e kompetencave profesionale në sektorin publik dhe procesin e marrjes së vendimeve.
Në trajnim morën pjesë sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska Ristova, sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Elena Kuzmanovska Biondiq, si dhe nëpunës të lartë udhëheqës nga më shumë institucione, gjë që mundësoi shkëmbim konstruktiv të përvojave, perspektiva të ndryshme institucionale dhe thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional në procesin e krijimit dhe zbatimit të politikave.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit diskutuan për rolin dhe nivelin e ambicies profesionale të nëpunësve shtetërorë në administratën publike bashkëkohore, si dhe për sfidat që lidhen me balancimin ndërmjet obligimeve profesionale, përgjegjësive dhe pritshmërive në procesin e vendimmarrjes. Përmes diskutimeve interaktive dhe analizës së rasteve praktike, u mundësua shkëmbimi i përvojave dhe vëzhgimeve për avancimin e kompetencave udhëheqëse dhe profesionale në sektorin publik.
Trajnimi u organizua nga Sektori për Arsim dhe Trajnim pranë Drejtorisë për Menaxhim të Burimeve Njerëzore, Arsim dhe Trajnim, në bashkëpunim me ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Norvegjisë. Ai u realizua përmes një qasjeje interaktive, pune në grupe dhe ushtrimeve praktike, ku ekspertët norvegjezë ndanë përvoja dhe praktika të mira lidhur me zhvillimin e një shërbimi shtetëror modern, profesional dhe efikas.
„ Akademia për kuadër udhëheqës” paraqet pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të orientuara drejt zhvillimit të kapaciteteve udhëheqëse dhe profesionale të kuadrit udhëheqës, me qëllim avancimin e efikasitetit institucional, menaxhimit strategjik dhe cilësisë së administratës publike. Realizimi i trajnimit është në përputhje me Kalendarin për trajnime të specializuara për vitin 2026, i cili paraqet pjesë përbërëse të Planit për shkollim, trajnim, aftësim profesional, avancim dhe specializime për vitin 2026.