Në periudhën 24–28 nëntor u zhvillua stërvitja rajonale për komandë-shtab “SEESIM 25”, nikoqire e së cilës ishte Rumania, ndërsa përmes një sistemi të vendosur të komunikimit dhe teknologjisë së informacionit për modelim dhe simulime, nga territori i tyre u përfshinë pjesëmarrës nga vendi ynë, Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Sllovenia, Turqia, Brigada e Evropës Juglindore (SEEBRIG) dhe Qendra e Ekselencës së NATO-s për menaxhim të krizave dhe reagim ndaj katastrofave nga Sofja.
Qëllimi i kësaj stërvitjeje rajonale është rritja e bashkëpunimit, koordinimit dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore, si dhe operacionalizimi i projekteve nga takimi i ministrave të mbrojtjes në kuadër të procesit SEDM në fushën e menaxhimit të katastrofave.
SEESIM 2025 bazohet në një skenar me kërcënime të shumëfishta natyrore dhe hibride, ku qendrat kombëtare të operacioneve emergjente, përmes sistemit tashmë të vendosur të komunikimit dhe informacionit, marrin së bashku dhe në mënyrë të koordinuar detyra dhe masa të domosdoshme për përgjigjen ndaj situatave të jashtëzakonshme dhe krizave kombëtare dhe rajonale.
Bartës i stërvitjes, e cila u realizua në Qendrën për Menaxhim të Krizave, ishte Ministria e Mbrojtjes, ndërsa pjesë e saj ishin edhe përfaqësues nga Armata, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra për Menaxhim të Krizave, Ministria e Punëve të Brendshme, institucione të tjera shtetërore, ndërmarrje publike dhe Kryqi i Kuq.