Në Qendrën e Trajnimit “Dr. Xhofef Kruzel”, më 16.03.2026, përfaqësues nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit – KSHPK, realizuan trajnimin me temë “Parandalimi i korrupsionit” për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Armatës.
Qëllimi i trajnimit është forcimi i kapaciteteve për identifikimin, parandalimin dhe trajtimin e duhur të rreziqeve korruptive në sektorin e mbrojtjes.
Ligjëruesit nga KSHPK, përmes ekspertizës dhe përvojës së tyre, dhanë kontribut të rëndësishëm në cilësinë e trajnimit dhe transferimin e njohurive, ndërsa pjesëmarrësit kontribuuan aktivisht në diskutime dhe në shkëmbimin e përvojave. Gjatë trajnimit u trajtuan tema që lidhen me konceptin dhe format e korrupsionit, sistemin e integritetit të NATO-s dhe lidhjen me sistemin kombëtar të integritetit, mënyrën e zbatimit të sistemit të integritetit, menaxhimin e konfliktit të interesit dhe zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.
Me realizimin e këtij trajnimi, Ministria e Mbrojtjes edhe një herë konfirmon përkushtimin e saj për ndërtimin e një sistemi mbrojtës efikas, transparent dhe të përgjegjshëm.
Trajnimi u organizua dhe u realizua nga Sektori për Arsim dhe Trajnim në kuadër të Drejtorisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Arsim dhe Trajnim.