Sot (22 shtator), në Ohër, sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska-Ristova, hapi modulin e dytë të Kursit Rajonal për Lidership Strategjik, në të cilin, përveç përfaqësuesve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës së Maqedonisë, marrin pjesë edhe përfaqësues nga Austria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.
Në hapje, Çupovska-Ristova theksoi se sfidat bashkëkohore, si paqëndrueshmëria gjeopolitike, kërcënimet hibride dhe kibernetike, siguria energjetike dhe krizat që tejkalojnë kufijtë kombëtarë, na kujtojnë se bashkëpunimi, besimi dhe të menduarit strategjik janë më të rëndësishme se kurrë.
„Rëndësia e këtij kursi shkon përtej njohurive dhe përvojave që ndahen gjatë këtyre ditëve. Ajo qëndron edhe në ndërlidhjen e njerëzve nga vende dhe institucione të ndryshme, krijimin e një mjedisi të hapur për dialog, kuptimin e perspektivave të ndryshme dhe ndërtimin e marrëdhënieve profesionale që mund të mbeten të rëndësishme edhe shumë kohë pas përfundimit të kursit”, tha sekretarja shtetërore.
Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit e kursit do të njihen me një sërë temash, ndër të cilat rëndësia e analizës së mjedisit strategjik, procesi i marrjes së vendimeve, ndërlidhja e lidershipit strategjik me komunikimet strategjike dhe komunikimin në krizë, si dhe puna me mediat.
Kursi Rajonal për Lidership Strategjik u iniciua në kuadër të Samitit të Mbrojtjes për Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Graz të Austrisë në vitin 2018. Kursi paraqet një platformë për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe vendosjen e kontakteve më të ngushta ndërmjet institucioneve në vendet e rajonit.