Sot, më 12 janar (e hënë), ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski, vendosën kurorë me lule të freskëta në memorialin në Blacë të Katllanovës, në kujtim të njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Njësisë Ajrore (WING), të cilët para 18 vjetësh humbën jetën duke u kthyer nga misioni ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë.
Me këtë rast, ministri Misajllovski theksoi se misioni i tyre ishte fisnik dhe se ata nuk do të harrohen kurrë, pasi me veprat e tyre treguan se si duhet dashur shteti dhe atdheu.
Në memorialin në Blacë të Katllanovës nderim për pjesëtarët e rënë dhanë familjarët e tyre, si dhe delegacione nga Komanda e Operacioneve, Brigada e Parë e Këmbësorisë, Njësia Ajrore (WING) dhe nga Komuna e Petrovecit.
Me një minutë heshtje dhe me vendosje kurorash me lule të freskëta nga pjesëtarët e Njësisë Ajrore (WING) u nderuan njëmbëdhjetë të rënët edhe te memoriali para komandës së WING-ut në kazermën “N.H. Strasho Pinxhur” në Petrovec, si dhe në parkun memorial në kampin Butmir në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, ku pjesëtarët tanë ishin pjesë e misionit ALTHEA.
Në aksidentin e helikopterit, në këtë ditë para tetëmbëdhjetë vjetësh, duke u kthyer nga misioni paqeruajtës ALTHEA, humbën jetën tragjikisht nënkoloneli Toni Spasovski, majori Goran Ristovski, kapitenët Brane Spasovski dhe Igor Gjoreski, kapterët Slavço Vasilev dhe Toni Davitkovski, kapterët e lartë Janko Shiriç dhe Aleksandar Taskovski, rreshterët Miki Ivanovski dhe Aleksandar Vasiç, si dhe dhjetari Zlatko Veljanoski.