Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot (24 dhjetor) në takimin e përbashkët me redaktorët dhe gazetarët që e përcjellin mbrojtjen i prezantoi tri shtyllat prioritare në të cilat mbështetet mbrojtja dhe Armata – buxhetimi i qëndrueshëm, modernizimi dhe pajisja intensive dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor. Ministri bëri të ditur se në vitin 2025 Armata do të ripërtërihet me 300 ushtarë të rinj profesionistë, të cilët, siç tha ai, do të përmirësojnë edhe gatishmërinë luftarake.
Në takimin e përbashkët ku morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral Sashko Lafçiski dhe zëvendësministrja e Mbrojtjes Elfet Ismaili, ministri tha se vendimi i marrë bashkërisht në NATO për të ndarë 2 për qind të PBV-së për mbrojtje është plotësuar, ndërsa dispozita për të ndarë 20 për qind të buxhetit të mbrojtjes për modernizim është tejkaluar.
„Buxheti i mbrojtjes për vitin 2025 është 329 milionë euro, nga të cilat mbi 32%, pra mbi 106 milionë euro janë të destinuara për modernizimin dhe pajisjen e Armatës. Shikuar në raport me vitin 2024, janë 18 milionë euro më shumë për këtë qëllim”, tha Misajllovski.
Ministri informoi edhe për të gjitha projektet për modernizimin e Armatës, duke theksuar se vitin e ardhshëm duhet të përfundojë prokurimi i autoblindave “JLTV”, ndërsa në të njëjtën kohë në Armatë duhet të mbërrijnë edhe blindat e tipit “Stryker”. Në vitin 2025 do të mbërrijnë sistemet e artilerisë “Boran”, sistemet e mbrojtjes ajrore “Mistral” dhe pajisje të tjera të shoqëruese.
Sa i përket kapitalit njerëzor, ministri theksoi se deri në fund të vitit 2024 janë paguar 99 për qind e të gjitha kërkesave sipas Marrëveshjes Kolektive, Ligjit për Nëpunësit e Mbrojtjes dhe Ligjit për Shërbim në Armatë dhe se vitin e ardhshëm do të vazhdojnë të respektohen të gjitha obligimet ndaj nëpunësve.
Ministri Misajllovski falënderoi mediat për interesimin dhe konstruktivitetin e tyre dhe tha se Ministria mbetet plotësisht e hapur për bashkëpunim.