Sot (3 nëntor), në një konferencë për shtyp, ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, paralajmëroi rritje prej 10 për qind të pagave për të gjithë pjesëtarët e Armatës maqedonase dhe të punësuarit në mbrojtje, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm. Rritja e pagave, siç tha ministri, është „një hap historik, rritja më e madhe historike në vlerë absolute“.
„Nëse punojmë së bashku, mund të arrijmë rezultate të shkëlqyera. Mesatarisht, paga do të rritet nga 4.000 deri në 11.000 denarë, që në vlerë absolute është rritja më e madhe historike deri më tani. Do të vazhdojmë të punojmë, do të vazhdojmë me shumë projekte dhe me dialogun social“, theksoi ministri.
Misajllovski falënderoi kryeministrin Mickoski, ministren e Financave, Dimitrieska-Koçoska, si dhe kolegët e tij ministra në Qeveri për mbështetjen e tyre, e cila mundëson që mbrojtja të bëhet „një nga institucionet më të mira në shtet“. Ministri u shprehu urime pjesëtarëve të Armatës dhe të punësuarve në mbrojtje, për të cilët tha se e meritojnë këtë rritje të pagave.
Nënkryetari i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes, Sinisha Stançevski, theksoi se dialogu sindikal po jep rezultate dhe se, si sindikatë përfaqësuese, janë krenarë për arritjet e periudhës së kaluar.
„Me ndihmën e ministrit dhe kryeministrit arritëm të sigurojmë rritje prej 10 për qind të të ardhurave nga 1 janari. Gjithashtu, arritëm t’u mundësojmë ushtarëve profesionistë që mbushin 45 vjeç të qëndrojnë në Armatë në mënyrë dinjitoze. Këto reforma nuk do të ishin të mundura pa angazhimin e ministrit dhe mendoj se, me këtë mënyrë të punës, do të arrijmë edhe më shumë suksese“, tha Stançevski.
Adnan Aliti nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë, nga ana e tij, theksoi se bëhet fjalë për „një akt historik“. Aliti shtoi se rritja e pagave dhe reforma që përfshin mundësinë e vazhdimit të marrëdhënies së punës për ushtarët profesionistë brenda Armatës janë dy përfitime të rëndësishme, si dhe se aktualisht po punohet për Marrëveshjen e re Kolektive, me të cilën të punësuarit do të gëzojnë edhe më shumë të drejta.
Ministri Misajllovski dhe përfaqësuesit sindikal paralajmëruan se dialogu do të vazhdojë dhe se fokusi i mbrojtjes mbeten të punësuarit, si kapacitet që mundëson siguri dhe stabilitet.