Sot (26 gusht) në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Vllado Misajllovski u takua me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, general-majorin Enriko Barduani, me të cilin bisedoi për rolin e rëndësishëm të këtij misioni në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, dhe për rrjedhojë edhe në gjithë rajonin.
“Ky mision i NATO-s është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një rajon edhe më stabil dhe më të sigurt. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj kontributit tonë në KFOR dhe mbështetjes logjistike që i ofrojmë këtij misioni edhe në të ardhmen”, tha ministri gjatë takimit.
Misajllovski theksoi se në kohë të ndryshimeve serioze gjeopolitike dhe pasigurive, një rajon i sigurt dhe i qëndrueshëm është me rëndësi parësore për ne, duke shtuar se vendi do të vazhdojë të jetë një shtyllë e sigurisë në Ballkan.
Duke pasur parasysh se mandati i gjeneralit Barduani si komandant i KFOR-it po përfundon së shpejti, ministri Misajllovski i shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer lidhur me kontingjentin maqedonas në këtë mision.
Gjenerali Barduani, nga ana e tij, theksoi se ushtarët maqedonas tregojnë çdo ditë profesionalizëm të lartë dhe përkushtim të plotë ndaj detyrave dhe obligimeve të tyre. Ai shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të shtetit tonë në misionin KFOR, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Në kuadër të vizitës, gjenerali Barduani u takua edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneralmajor Sashko Lafçiski.
Armata maqedonase në këtë mision jep kontribut që nga viti 2020.