Sot (28 shkurt), ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski, morën pjesë në ceremoninë ushtarake të mbajtur në kazermën “Ilinden” në Shkup, me rastin e shënimit të Ditës së Batalionit të Forcave Speciale, njësia speciale e Armatës e njohur si “Ujqërit”.
Ministri Misajllovski, në fjalimin e tij, i falënderoi anëtarët e njësisë për profesionalizmin, përkushtimin, sakrificën dhe patriotizmin e tyre, që shërben si frymëzim, veçanërisht për të rinjtë që dëshirojnë t’i bashkohen Armatës.
„Me gjithë këtë, ju shprehni dashurinë e madhe për atdheun tuaj, Maqedoninë… Nga ju nuk rrezaton vetëm profesionalizëm, por edhe gatishmëri dhe përmirësim i vazhdueshëm përmes stërvitjeve të përditshme, duke u bërë çdo ditë më të mirë dhe më efikas. Në këtë qëndron edhe madhështia juaj. Punoni pa u lodhur për veten dhe aftësitë tuaja, të cilat janë në shërbim të sigurisë së çdo qytetari,” tha Misajllovski, duke shtuar se pjesëtarët e njësisë speciale janë më të mirët, më të aftët dhe më të trajnuarit, gjë që është vërtetuar në çdo vlerësim.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjenerali Lafçiski, në fjalimin e tij dha një mirënjohje publike për të gjithë ish-pjesëtarët e njësisë për punën dhe kontributin e tyre në ndërtimin e njësisë. Ai theksoi se të jesh dhe të mbetesh në majë nuk është një detyrë e lehtë.
„Ju jeni njësia e parë që vendosi themelet për zbatimin e standardeve të NATO-s, njësia e parë e Armatës e dekoruar me urdhrin për merita ushtarake, njësia e parë që ndan pa rezervë njohuritë e saj me pjesën tjetër të Armatës dhe me shtetet partnere… Të jesh i pari është një prestigj, por të jesh i pari dhe të mbetesh i pari është detyra dhe amaneti juaj,” theksoi gjenerali Lafçiski, duke u bërë thirrje që të mbeten besnikë ndaj profesionit dhe të jenë të sinqertë ndaj vetes dhe njësisë.
Komandanti i Batalionit të Forcave Speciale, nënkolonel Bllagoj Naumov, theksoi se kjo njësi, e përbërë nga pjesëtarë të zgjedhur, të guximshëm dhe të fortë, është shtylla e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Ai theksoi se njësia ka qenë dhe do të mbetet një vatër për kuadro cilësorë, gjë që dëshmohet nga fakti se shumë komandantë, gjeneralë, funksionarë dhe liderë në pozita drejtuese kanë dalë nga radhët e saj.
„Vazhduam rrugën që ishte nisur nga paraardhësit tanë, po përmirësohemi dhe po përsosim aftësitë tona, dhe tani mund të thuhet me krenari se qëndrojmë krah për krah me partnerët tanë të NATO-s, duke ruajtur vlerat e vërteta kombëtare,” tha nënkoloneli Naumov.
Në ceremoninë e sotme, Batalioni i Forcave Speciale (BFS) i ndau një pllakë Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje të SHBA-së (ODC) për “30 vjet bashkëpunim me Armatën e SHBA-së”, si dhe pllakë për ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës. Me rastin e Ditës së Njësisë, u ndanë masa stimuluese për pjesëtarët e njësisë që janë dalluar në punën e tyre gjatë periudhës së kaluar.
Në ceremoninë solemne morën pjesë edhe Zëvendës Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral major Azim Nuredin, gjeneralë të Armatës, ish-komandantë të njësisë, komandantë të njësive të MPB-së dhe mysafirë të tjerë.